Site icon Telegrafi

Kolumnisti serb i reagon Vuçiqit: Kosova do të pranohet në Këshillin e Evropës, ku qëndron problemi?

Dejan Iliq, kolumnisti i OJQ-së me bazë në Beograd “Pescanik”, ka reaguar ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka formuar ekip për parandalimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Iliq, që ësjtë përkrahës i iniciativës “Serbia kundër dhunës”, si mysafir në një emision televiziv të N1, ka pyetut se “cili është problemi që Kosova do të pranohet në Këshillin e Evropës?”.

“Cili është saktësisht problemi? Cili është problemi, ata do të pranohen, sigurisht që do të pranohen, sigurisht që është një vend më vete! Dhe,  çfarë, ju nuk mund të pajtoheni me këtë, tani i ndani zhgënjimet tuaja me ne?”, ka thënë Iliq, transmeton Telegrafi.

Me kërkesë të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Qeveria e Serbisë ka formuar një ekip për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).

Por, analistë e politikanë në Serbi vlerësojnë se ky ekip nuk do të arrijë asnjë rezultat dhe se shërben vetëm për konsum të brendshëm në mënyrë që pushteti aktual të “lajë fytyrën” nëse Kosova do të anëtarësohet në këtë organizatë.

Analisti i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, ka vlerësuar se “formimi i ekipit është një ndërmarrje donkishoteske, pra një luftë e vërtetë me mullinjtë e erës”.

“Qeveria e di dhe presidenti e ka pranuar shumë herë që Kosova ka shumicën e nevojshme për hyrje në KiE dhe se kjo nuk do të ndryshojë. Tani formimi i një brigade të veçantë, me forca speciale që duhet ta pengojnë këtë hyrje, është absolutisht një perde tymi për opinionin serb”, thotë Jakshiq, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Serbia me ekip për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në KiE, analistët në Beograd: Nuk do të ketë asnjë efekt - “luftë me mullinjtë e erës”

Ai shton se kjo është një manifestim publik i asaj që Vuçiq ka thënë disa herë, përkatësisht se nuk ka pranuar disa gjëra nga marrëveshja.

Nga ana tjetër, ish-diplomati Sreçko Gjukiq thotë  një lëvizje të tillë e sheh për herë të parë në praktikën diplomatike.

“Është çështje e marrëdhënieve të Serbisë me bashkësinë ndërkombëtare dhe kjo i përket fushës së politikës së jashtme dhe diplomacisë. Këtë e bën rrjeti i politikës së jashtme dhe Ministria e Jashtme, nuk e di se çfarë mund të kontribuojë aty ministri i Bujqësisë. Një gjë tjetër që nuk e kam të qartë është se si do ta luftojnë, prandaj them se kjo më duket partizane”, tha Gjukiq.

Gjukiq rikujton se anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare ka ardhur nga marrëveshja e Brukselit e nënshkruar në vitin 2013, pastaj nga planifranko-gjermane dhe Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023.

“Prandaj, unë e shoh si një përpjekje për t’u larë pushteti aktual dhe për të mos marrë përgjegjësinë për marrjen e statusit të anëtarit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha Gjukiq, transmeton Telegrafi.

Gjukiq thotë se nuk do të ketë rezultate nga ky ekip.

Ndërkohw, presidenti serb, Vuçiq, tha të shtunën se u “bënë përpjekje të premten për të zgjidhur gjithçka” për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, para takimit të Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate këtë muaj, ku do të votohet për anëtarësimin apo jo të Kosovës.

Lideri serb tha se “përpjekjet u parandaluan falë ndërhyrjes së dy vende”.

“Ata u përpoqën dje, para vendimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për të përfunduar gjithçka, dhe falë ndërhyrjes së dy vendeve, kjo nuk ndodhi”, tha Vuçiq të shtunën për gazetarë në Beograd.

Vuçiq nuk i shpjegoi “përpjekjet”, e as nuk tregoi se cilat vende “e parandaluan atë”.

Kujtojmë se Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci ka dhënë një opinion pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës më 27 mars.

Më pas çështja do të diskutohet në seancën plenare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Seanca pritet të mbahet më 16 prill.

Kosova duhet të sigurojë një shumicë prej dy të tretash në atë organ për të fituar statusin e anëtarit. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version