Koloneli Ahmet Krasniqi është përkujtuar sot në Kosovë në 26-vjetorin e vrasjes.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pohuar se koloneli ishte një udhëheqës ushtarak dhe vizionar që besonte thellë në lirinë e Kosovës, transmeton Telegrafi.
“Në 26 vjetorin e vrasjes, me respekt e kujtojmë atdhetarin, simbolin e guximit dhe sakrificës, kolonelin Ahmet Krasniqi, komandanti i parë i Forcave të Armatosura të Kosovës, njëherësh ministër i Mbrojtjes i Kosovës. Sot nderojmë jo vetëm njeriun, por vlerat që ai mishëroi: trimërinë, qëndrueshmërinë dhe angazhimin e palëkundur për lirinë e Kosovës”, ka pohuar Osmani.
Tutje, Osmani ka theksuar se Krasniqi u vra në mënyrë të pabesë.
“Ai u vra në mënyrë të pabesë dhe ishte viktimë e një akti të mjerë që u përpoq ta godasë përpjekjen për lirinë e Kosovës. Kolonelin e vranë, por jo ëndrrën për Kosovën e lirë dhe trashëgiminë e tij, ndaj zbardhja e vrasjes së tij është obligim i yni. Qoftë i përhershëm kujtimi për kolonel Ahmet Krasniqin”, pohon presidentja.
Ndërsa, nënkryetari, Anton Quni në emër të LDK-së bashkë me familjarë e bashkëpunëtorë kanë bërë homazhe në nderim të jetës dhe veprës së Kolonel Ahmet Krasniqit, në 26 vjetorin e vrasjes së tij.
“Heroi i Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqi, ishte atdhetar, intelektual, strateg i mirëfilltë ushtarak dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit historik, Ibrahim Rugova. Guximi e profesionalizmi i tij ishin vlerat që e shoqëruan në rrugëtimin tonë për liri, pavarësi e demokraci; ndërsa emri i Kolonel Krasniqit mbetet gurthemel i shtetndërtimit të Kosovës”, thuhet në komunikatën në LDK.
Tutje, LDK thekson se “Fatkeqësisht, edhe fati i Kolonel Ahmet Krasniqit, ishte i njëjtë me të atyre që dhanë gjithmonë gjithçka për atdheun, ndërsa u vranë nga ata që nuk ia duan të mirën e atdheut tonë. Vrasja e tij si dhe mos zbardhja e këtij akti kriminal, janë dy herë humbje e madhe për kombin tonë”./Telegrafi/