Telegrafi

Kolni i gatshëm ta shesë Mavrajn

E ardhmja e Mërgim Mavrajt te Kolni është në dyshim.

Qendërmbrojtësi shqiptar, i cili spikati me kuqezinjtë në Euro 2016-të mund të braktisë Bundesligën për një ofertë më të mirë financiare nga Beshiktashi në Superligën e Turqisë.

Mediat gjermane në një analizë që i bëjnë situatës te Kolni parashikojnë një largim të mundshëm të 30-vjeçarit, për t’i bërë vend futbollistit serb Neven Subotic, që shihet si përforcimi ideal për qendren e mbrojtjes.

Drejtuesit e Kolnit, duke parë edhe moshën e Mavrajt, synojnë një lojtar më të ri dhe që jep garanci për një periudhë më të gjatë kohore, për këtë arsye nuk nxjerrin pengesë për largimit shqiptarit, sigurisht nëse vjen oferta e përshtatshme nga Turqia.

Te Kolni pretendojnë se me paratë që do të sigurohen nga shitja e Mavrajt, plus 1 osë dy milionë Euro, do të kenë mundësi të blejnë Neven Subotic, futbollist që luan prej vitit 2008 te Borussia e Dortmundit.

Karriera e Mavrajt pati një kthesë të papritur gjatë pjesës së dytë të sezonit të kaluar, ku spikati në qendër të mbrojtjes edhe pse vinte nga një dëmtim i rëndë dhe i gjatë. Siguria që shfaqi edhe gjatë Euro 2016 në radhët e kuqezinje ra në sy të drejtuesve të Beshiktashit, që po monitorojnë situatën për të bërë një ofertë konkrete.