Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, në tubimin e sotëm të mbajtur në Deçan, theksoi se “deçanasit dhe Lëvizja kanë një emërues të përbashkët dhe ai është Dardan Molliqaj”.
“Kandidati më i dinjitetshëm që ky qytet mund të ofrojë është Dardan Molliqaj. Krenohemi me të”, ka thënë ajo.
Kollçaku u përqendrua në sektorin e shëndetësisë, duke shtuar se qytetarëve do t’u ofrohen shërbime cilësore shëndetësore dhe qasje e barabartë për të gjithë.
Sa i përket barazisë gjinore, ajo tha se më Lëvizjen Vetëvendosje pjesëmarrja e gruas në të gjitha nivelet vendimmarrëse do të jetë e natyrshme dhe e garantuar në baza meritore.
Në përfundim të fjalimit u shpreh se aktivistët e Lëvizjes do të angazhohen deri në fund në vendosjen e drejtësisë për Astrit Deharin, ndërsa kërkoi që të votohen masivisht aktivistët e rinj që po mbahen në arrest shtëpiak.