Telegrafi

Kolektivi Feminist: Jemi gjobitur nga Policia pas protestave kundër dhunimit

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist njoftoi të premten se pas protestave të mbajtura në Prishtinës kundër dhunimit, janë gjobitur nga Policia e Kosovës.

Sipas njoftimit, gjobat janë shqiptuar për shkak të prishjes së rendit dhe ofendimit ndaj institucioneve të Kosovës.

Gjithsej thuhet se janë hapur tetë raste, të cilat Policia dhe Prokuroria i kanë nisur në Gjykatë.

Lexo po ashtu Dhunimet ndaj grave, protestuesit paraqesin katër kërkesa për institucionet

“Këtë përndjekje ne e konsiderojmë si një përpjekje tjetër të shtetit për të na heshtur dhe zmbrapsur. Gjobitja si mjet disiplinimi është metodë e njohur për ne. Edhe më parë protestat tona janë konsideruar si të paligjshme dhe të patolerueshme për shtetin”.

“Përkundër tentativave për ta ndëshkuar për rezistencën tonë, ne kemi vazhduar të organizohemi dhe çdo ditë e më zëshëm ta denoncojmë dhunën e institucionalizuar ndaj vajzave dhe grave”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, Kolektivi Feminist thotë se nuk frikësohet nga “tentativat e shtetit për të na heshtur”.

“Ne nuk do i bindemi këtyre ndërmarrjeve patriarkale dhe do i kundërshtojmë deri në fund. Gjithashtu, ne e përsërisim ne do t’i zaptojmë edhe më tej rrugët, sheshet e institucionet publike, për t’i shndërruar ato në vatra të rezistencës tonë kolektive. Deri sa të gjitha/ë të jemi të lira/ë nga dhuna institucionale”. /Telegrafi/