Telegrafi

Kokaina e kapur në Durrës, njëri prej të arrestuarve është këshilltari i Erion Veliajt

Policia njoftoi mbrëmjen e të mërkurës se kishte zbuluar 45.5 kilogramë kokainë midis një ngarkese me mish pule të ardhur nga Brazili në Portin të Durrësit me destinacion Maqedoninë e Veriut.

Droga sipas policisë ishte fshehur brenda një kontejneri frigorifer.

Në një njoftim sot, polica zbardhi edhe arrestimet e shtetasit A.F, me banim në Prishtinë, biznesmeni që kishte porositur mishin dhe një person tjetër që në media është identifikuar si Egert Vargun, anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe administrator i agjencisë doganore që kishte bërë zhdoganimin e kontejnerit në Portin e Durrësit.

Lexo po ashtu Kokaina e ardhur nga Brazili në Portin e Durrësit, arrestohen 30-vjeçari nga Prishtina dhe agjenti doganor

39-vjeçari Egert Vargu, banues në Tiranë, me detyrë agjent doganor i kontraktuar nga kompania “Apetit Group”, rezulton se është njëkohësisht edhe anëtar i Partisë Socialiste në këshillin bashkiak në Bashkinë e Tiranës, raporton Syri.net.

Në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës, Vargu rezulton këshilltar në këshillin bashkiak, si dhe anëtar i Komisionit të Financës dhe Buxhetit.

Në profilin e tij në “Facebook”, Egert Vargu ka postuar një foto të agjencisë “AG Shpk”, e cila është në emrin e bashkëshortes së tij. /Telegrafi/