Site icon Telegrafi

KOK shpërblen me nga 10 mijë euro kampionet olimpike, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova

Foto: Komiteti Olimpik i Kosovës

Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës, me në krye presidentin Ismet Krasniqi, ka vendosur të shpërblejë kampionet olimpike, xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, për suksesin e arritur në Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Të dy medalistet e arta olimpike do të shpërblehen me nga 10 mijë euro.

Krahas tyre, me shumën në vlerë prej 5 mijë euro është shpërblyer trajneri i kampioneve olimpike, Driton Kuka.

Lexo po ashtu Kosova, vendi që paguan më së shumti për medalje olimpike në Ballkan – lë pas Serbinë

Po ashtu, Bordi Ekzekutiv vendosi që nëntë sportistët tjerë, pjesëmarrës në LO Tokio 2020, të shpërblehen me nga 500 euro.

Krahas shpërblimit të KOK, kampionet olimpike, po ashtu do të marrin edhe shpërblimin nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport, bazuar në rregulloren për ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulminante në garat ndërkombëtare.

Shuma që paguhet për një medalje të artë olimpike në vendin tonë është 100 mijë euro, duke frymëzuar kështu sportistët tanë për sukseset e radhës.

Lexo po ashtu Karriera e ARTË e Majlinda Kelmendit: Nga viti 2009, deri te pensionimi në Lojërat Olimpike "Tokio 2020"

Lojërat Olimpike të ardhshme do të mbahen në Francë në vitin 2024, e që aty xhudistët tona do të shpresojnë të përsërisin suksesin e arritur në Tokio në këtë verë.

Kujtojmë se Majlinda Kelmendi i dha fund karrierës në xhudo, duke njoftuar për pensionim, mirëpo do të jetë pjesë e kampit stërvitor të Toni Kukës. /Telegrafi/

Foto: Komiteti Olimpik i Kosovës
Exit mobile version