Site icon Telegrafi

“Koha për t’u hakmarrë me këngë”: Pse repi provokues i grupit NWA, u shndërrua në himn?

Kopertina e albumit “Straight Outta Compton” (1988) e grupit NWA

Nga: Greg McKevitt / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

“Tash do të jeni dëshmitarë të fuqisë së mësimeve të rrugës”, është vargu që hap këngën Straight Outta Compton [Drejtpërdrejt nga Komptoni], që është edhe titulli i albumit debutues të grupit NWA me miliona disqe të shitura. Me kohëzgjatjen prej një ore, albumi e përgatiti skenën për retorikën nxitëse dhe tingujt drithërues, duke përzier trimërinë, mizogjininë, homofobinë dhe mesazhin provokues që udhëtoi përtej qytetit të tyre të lindjes – Komptonit të Los Anxhelosit.

Fuck tha Police [Q… policinë] është kënga më eksplicite e protestës, e cila NWA-në e vuri në qendër të vëmendjes. Ulërima e zemërimit kundër brutalitetit policore dhe ndarjes racore, bëri që FBI-ja të ankohej te kompania e tyre diskografike se po inkurajohet dhuna dhe mosrespektimi i ligjit. Në një parodi për procedurat gjyqësore, reperi Dr Dre bëhet gjykatës dhe dëgjon shokët e grupit, Ice Cube, MC Ren dhe Eazy-E, teksa ata paraqisnin një rast të fortë për Prokurorinë e Departamentit të Policisë së Los Anxhelosit.

Ajo që pason është repi që përfshinte policinë që “mendon se e ka autoritetin për të vrarë pakicën”, policët të cilët supozojnë se të gjithë të rinjtë me ngjyrë “shesin narkotikë” dhe zyrtarët me ngjyrë të cilët janë po aq fajtorë për keqtrajtimin.

Për yllin që ishte anëtar i grupit, Ice Cube – i cili shkroi më shumë se gjysmën e teksteve të albumit – kjo ishte këngë e “fantazisë surreale” për hakmarrje. Gazetares së BBC-së të programit Late Show, Mary Harron, ai i tha: “Jam lodhur nga keqtrajtimet. U lodha duke i parë miqtë të cilët ktheheshin në shtëpi me plagë dhe me probleme të tjera, nga policia që i rrihte për çdo gjë dhe gjithçka, kështu që thashë: ‘Jo. Është koha për t’u hakmarrë; e kuptoni, është koha për t’u hakmarrë me këngë. Le t’i lëndojmë ndjenjat e tyre – diçka e tillë, e ke parasysh? Nuk mund ta bësh këtë fizikisht, por mund ta bëjmë këtë në disk’”.

Dr Dre, mjeshtri i produksionit i grupit, besonte se ata thjesht po raportonin për diçka që ishte atje dhe që ashiqare shihej. Në program ai tha: “E di ti se të gjithë e mendojnë të njëjtën gjë, por askush me të vërtetë nuk ka zemër ta thotë, dhe ne atë e kemi thënë. Të gjithë po thonë ‘q… policinë’, por askush nuk ia thotë këtë publikut, ndërsa ne këtë e bëmë”.

Kënga do të bëhet himn gjatë trazirave të Los Anxhelosit të vitit 1992, të shkaktuara nga lirimi nga gjyqi i katër policëve të bardhë të cilët e rrahën shoferin me ngjyrë, Rodney King, i cili ishte ndaluar për shpejtësi. Katër zyrtarët të cilët atë e tërhoqën zvarrë, e goditën më shumë se 50 herë me shkopinj, e shkelmuan dhe e qëlluan me armët e shokut elektrik. Sulmi u xhirua me videokamerë, nga një banor aty pranë. Ishte dëshmi e brutalitetit të policisë për të cilën komuniteti me ngjyrë ishte ankuar për dekada të tëra. Vluan tensionet e vazhdueshme racore dhe të pabarazisë ekonomike, duke çuar në ditë të tëra të plaçkitjeve dhe djegieve, me më shumë se 50 vdekje dhe një miliard dollarë dëme për qytetin.

Pothuajse tre dekada më vonë, në Minesotë, vdekja e George Floydit në vitin 2020, në duar të policëve, u filmua gjithashtu nga kalimtarët e rastit, por tashmë nga telefonat celularë. Protestat shpërthyen nëpër qytetet e gjithë ShBA-së dhe më vonë në mbarë globin nën flamurin Black Lives Matter [Vlen jeta e njeriut me ngjyrë]. Këtë herë, për dallim nga zemërimi i hapur i NWA-së, slogani i diskutueshëm Defund the Police [Kufizojini financat e Policisë] u bë pjesë e shtytjes së disa aktivistëve për ndryshim. Mbrojtësit e saj kërkuan që buxhetet e policisë të shkurtohen dhe që fondet të kalojnë në programet sociale për të shmangur konfrontimet e panevojshme dhe për të shëruar ndarjen racore.

Në atë kohë, artistët e njohur më parë si “grupi më i rrezikshëm në botë”, ishin aq të respektueshëm saqë u shndërruan në mit në Holivud, në filmin biografik të vitit 2015 – Straight Outta Compton. Një vit më vonë u futën te të Famshmit e Rokënrolit [Rock and Roll Hall of Fame] nga reperi Kendrick Lamar, i cili përfaqësonte një brez të ri të talenteve të hip-hopit të Komptonit. Lamari u tha pjesëmarrësve se NWA “dëshmoi te çdo fëmije në geto se mund të jesh i suksesshëm dhe të kesh zë”. Në një si jehonë të historisë, kënga e tij shpresëdhënëse e vitit 2015, Alright [Në rregull], do të bëhet himn e protestave për lëvizjen Black Lives Matter.

Në janar të vitit 1990, kur u transmetua intervista e NWA-së, grupi ballafaqohej nga kritikat e këndvështrimeve të ndryshme. Tekstet e tilla si “kur mbaroj punë, do të ketë gjakderdhje të policëve në Los Anxhelos”, e zemëruan ndihmësdrejtorin e FBI-së, Milt Ahlerich, i cili e dërgoi ​​një letër te kompania diskografike e NWA-së, duke thënë se kënga “inkurajon dhunën dhe mosrespektimin e zbatuesve të ligjit”.

Të tjerët, tekstet e NWA-së i cilësuan si të pamatura dhe të papërgjegjshme – si autori i temave të hip-hopit në revistën Spin, Bönz Malone, i cili BBC-së i tha se teksa ata pretendonin se nuk e madhërojnë dhunën, “videot e tyre me armë, me makina të bukura dhe me zinxhirë të artë” e tregojnë një tjetër rrëfim. Jamie Foster Brown nga revista zbavitëse afrikano-amerikane Sister 2 Sister, i krahasoi ata me “kaubojt revolveristë “. Ajo i tha BBC-së: “Dua të them se ata nuk e kuptojnë peshën e vdekjes, dhimbjen e të shtënave të vërteta ndaj dikujt. Nuk mendoj se këtë e kuptojnë. Është punë serioze të kesh armë”.

Dr Dre i hodhi poshtë pretendimet se janë duke e romantizuar dhunën e bandave. “Nuk ka asgjë në incizimet tona, që nuk është reale; gjithçka që qëndron në incizimet tona, ajo ka ndodhur ose mund të ndodhë”, ka thënë ai. Eazy-E refuzoi të mbante qëndrim moral për skenarët e përshkruar në tekstet e tyre. Ai i tha BBC-së: “Nëse ti vendos të jesh bandit … mund të përfundosh i vdekur ose mund të përfundosh në burg. Nuk po të themi shko e bëje këtë. Nuk po të themi mos e bëjë. Nëse këtë e bën, kjo varet nga ti”.

Kritiku i Village Voice, Greg Tate, i tha BBC-së se kur e dëgjoi për herë të parë këngën Gangsta Gangsta të albumit Straight Outta Compton, dukej se ajo po e miraton krimin e zezakut mbi zezakun dhe të shtënat nga makinat. Me kalimin e kohës, tha ai, interpretimi i tij u zbut, “derisa i pashë me të vërtetë si dramatizim të realitetit të Komptonit”. Sipas Gregut, ekzistonte stereotipi se “hip-hopi del vetëm nga mjerimi, varfëria dhe degradimi”, por reperët më të njohur në atë kohë, përfshirë NWA-në, “dolën nga shtresa e mesme e zezë”.

Ice Cube pranoi se historia e tij “nuk ishte edhe aq e tmerrshme, por unë kam parë gjëra të tmerrshme dhe kam dëgjuar gjëra të tmerrshme të cilat i kam futur në mendje”. Ai shtoi: “E ziej si tas me supë dhe derdhet me këto fjalë dhe zemërohem kur mendoj kaq shumë. Kështu që, kur ballafaqohem teksa bëj rep, më duket sikur thjesht jam i inatosur, i nervozuar”. Ai tha se mund të krijojë tekste vetëm nga këndvështrimi i tij si një i ri me ngjyrë: “E kupton ti, kur shkruaj dua që ti t’i mbyllësh sytë dhe ta paramendosh këtë duke ndodhur”.

Në kohën kur u transmetua intervista, Ice Cube sapo kishte njoftuar se do të largohej nga NWA për të nisur solo-karrierën. Tha se suksesi i tij, kohët e fundit kishte tërhequr vëmendjen e zyrtarëve të policisë të cilët e ndaluan gjatë vozitjes dhe e urdhëruan të dilte nga makina.

“Pyesja veten nëse, po të isha në Beverli-Hills me një BMW dhe me një ngjyrë tjetër të lëkurës, a do të më pyesnin se në çfarë bande jam, se ku janë armët apo ku është droga? Duhet t’ia shtroni vetes këto pyetje atëherë kur të ndalin. Por, thjesht e kaloj gjithë këtë sepse u them se jam i ligjshëm. Mund ta kontrolloni makinën gjatë gjithë ditës. Nuk do të gjeni asgjë përveç disqeve të arta dhe të platinit”. /Telegrafi/

Exit mobile version