Site icon Telegrafi

Mësohet koha kur demarkacioni shkon në Qeveri e Kuvend

Më 13 korrik ishte caktuar mbledhja e Qeverisë së Kosovës, ku do të shqyrtohej Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Do të ishte mbledhja e 100 nën drejtimin e Isa Mustafës.

Por mbledhja e planifikuar për të mërkurën ishte shtyrë. Në atë mes deputetët opozitarë këtë shtyrje e panë si mungesë e votave për ta kaluar projektligjin në Kuvend, transmeton Koha.net.

Kurse sot, 14 korrik, Kryeministria ka dërguar agjendën e kryeministrit në të cilën konfirmohet pjesëmarrja e tij në Mbledhjen e Qeverisë së Kosovës më 15 korrik në ora 9:00. Burimet e portalit Koha.net brenda Qeverisë së Kosovës kanë thënë në kushte anonimiteti se pika dy e agjendës së mbledhjes jubilare, Projektligji për Ratifikim e Demarkacionit nuk është më në rend dite.

Njëjtë kanë thënë edhe burime tjera brenda Kuvendit të Kosovës, duke shtuar se kjo pikë do të futet në rend dite, atëherë kur deputetët e Kuvendit të Kosovës do të kenë dëgjuar argumentet PËR dhe KUNDËR demarkacionit nga palët përfaqësuese të kauzës.

Sipas po të njëjtit burim, nesër do të kalojë në Kryesinë e Kuvendit propozimi për debat profesional-shkencor mes Komisionit Shtetëror për Demarkacion dhe grupit të njohësve profesionistë, raporton Koha.net. E pas këtij debati, kur deputetët të dëgjojnë argumentet atëherë do të futet në rend dite që të kenë një ide të qartë se çka po votojnë.

Exit mobile version