Ronald Koeman e ka cilësuar si të papranueshëm rezultatin në humbjen e Barcelonës në udhëtim te Benfica në raundin e dytë të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.
Barcelona u mposht 3-0 nga Bayern Munich në Camp Nou në raundin e parë dhe me rezultatin e njëjtë pësuan edhe nga Benfica të mërkurën mbrëma.
Katalunasit janë në vendin e gjashtë në La Liga dhe ka përjetuar një fillim të tmerrshëm të sezonit, pasi po luftojnë për të filluar epokën e tyre të re pa Lionel Messin e larguar.
Megjithatë, pas këtij rezultati, edhe përkrahësit më të zjarrtë të Koemanit do të pranonin se ditët e tij në klub janë të numëruara dhe duhen ndryshime.
“Rezultati përfundimtar është i vështirë për t’u pranuar. Nuk është rezultati që pamë në fushë. Pavarësisht se ecën shpejt, unë mendoj se ekipi luajti mirë derisa shkoi në 2-0. Ne kishim raste të qarta për të shënuar”, ka thënë fillimisht Koeman pas ndeshjes.
“Unë nuk do të diskutoj nivelin e këtij ekipi. Të gjithë e dinë se cili është problemi i Barcelonës sot. Nuk është e mundur të komentosh për një ekip që nuk është ai i viteve të kaluara. Për mua është më e qartë se uji”.
Trajneri holandez ngurroi të diskutonte të ardhmen e tij.
“Unë mund të komentoj vetëm për punën time me ekipin. Ndihem i mbështetur nga lojtarët e mi dhe qëndrimi që ata më kanë treguar. Nuk di për pjesën tjetër. Nuk di për klubin”.
“Nuk mund të them asgjë për të ardhmen time sepse nuk e di se si mendon klubi në atë kuptim. Nuk dua t’i përgjigjem më pyetjeve në lidhje me këtë sepse nuk është në dorën time. Do të shohim”, përfundoi holandezi. /Telegrafi/