Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq tha se “6 tetori ishte një ditë e mirë për demokracinë në Kosovë”.
Në reagimin e saj fillestar pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën në Kosovë, Kocijançiq theksoi se ishte shumë pozitiv fakti, se në këto zgjedhje, votuan më shumë qytetarë se në ato të mëparshmet në vitin 2017.
Kocijançiq potencoi se qeverinë e re të Kosovës po e presin detyra të rëndësishme, duke përmendur zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, sundimin e ligjit dhe angazhimin për rifillimin e dialogut me Beogradin.
“Kjo është në dobi të qytetarëve të Kosovës dhe tërë rajonit. BE-ja do të vazhdojë punën dhe bashkëpunimin e saj me Kosovën dhe do të promovojë pajtimin, bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimor “, tha Kocijançiq, transmeton REL.
Bashkimi Evropian dërgoi një mision monitorimi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në Kosovë, më 6 tetor. Misioni do të paraqesë një vlerësim paraprak më 8 tetor dhe do të publikojë një raport përfundimtar në muajt e ardhshëm.