Përderisa kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov sot e caktoi mandatar kryetarin e OBRM-PDUKM, Nikolla Gruevski, Bashkimi Evropian ka dalë me qëndrim të hapur se pret ‘formim të shpejtë të qeverisë së re’, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq e ka përsëritur qëndrimin e qeverisë joformale të BE, e dhënë një ditë pas zgjedhjeve parlamentare që mbahet më 11 dhjetor.
‘Në këtë fazë, ajo çfarë mund të them është se ne nga afër e ndjekim situatën. Siç thamë në të kaluarën, ne, në kuadër të afateve kushtetuese, presim formim të shpejtë të qeverisë së re stabile. Ne, gjithashtu, duam të shohim zbatim urgjent të reformave, zgjidhje të çështjeve për sistem qeverisës të drejtësisë, njëjtë edhe përmes reformave urgjente prioritare dhe përmes zbatimit të vazhdueshëm të marrëveshjeve të mëparshme politike. Në këtë kotekst, ne do të vazhdojmë ta mbështesim vendin në procesin e saj integrues. Kjo është e gjitha ajo çfarë mund të them momentalisht’, ka potencuar Kocijançiq. /Telegrafi/