Numri i deputetëve që po e kundërshtojnë Marrëveshjen për Demarkacion me Malin e Zi tashmë është rritur, madje edhe në radhët e partive në koalicionin qeverisës.
Sipas deklarimeve të deritashme del se koalicioni nuk i ka numrat për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, e cila pritet të dalë në seancën plenare të së enjtes, shkruan “Zëri”.
Janë mbi dhjetë deputetë të partive në koalicionin qeverisës të cilët janë shprehur hapur kundër ose kanë shprehur rezervat ndaj kësaj marrëveshjeje. Në bazë të një llogaritjeje të thjeshtë del se koalicioni nuk i ka votat, meqë duhen 80 vota për ratifikimin e saj, derisa me kundërshtimet e këtyre deputetëve atëherë i bie se do t’i ketë më pak se 80 vota.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka thënë se është përgjegjësi e deputetëve të marrin vendim, porse, sipas tij, do t’ua kërkojnë që ta votojnë këtë marrëveshje. /Zëri/