Telegrafi

Koalicioni qeverisës, sot takohen grupet punuese të LVV-së dhe LDK-së

​Pas takimit të së premtes mes grupeve punuese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, sot pritet të mbahet një tjetër takim i tillë në këtë nivel lidhur me marrëveshjen e koalicionit qeverisës.

Në takimin e fundit palët u dakorduan për intensifikimin e takimeve dhe që takimi i sotëm të shërbejë për të konkretizuar diskutimet e së premtes.

Lexo po ashtu Të mërkurën takimi i grupeve punuese LDK-LVV, paralajmërohen takime tjera

Të dyja partitë thanë se herën e fundit kur u takuan, grupet punuese u dakorduan lidhur me përmbajtjen dhe parimet e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Telegrafi ka mësuar se takimi i sotëm nuk do të jetë i vetmi, dhe se grupet punuese të të dyja partive do të kenë edhe takime tjera edhe gjatë ditëve në vijim.

Ndryshe, takimi i parë i grupit punues të Vetëvendosjes dhe LDK-së zgjati rreth dy orë.

Këto takime vijnë si rezultat i takimit që u bë javë më parë nga dy kandidatët për kryeministër Albin Kurtit nga LVV dhe Vjosa Osmanit nga LDK . /Telegrafi/