Sondazhi nxjerr fitues koalicionin PDK-AAK-NISMA, garë e madhe për vendin e dytë.
Nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diele, koalicioni PDK-AAK-Nisma do të fitonte bindshëm.
Garë më e madhe mund të pritet vetëm për vendin e dytë, nëse Lëvizja Vetëvendosje arrin t’i nxjerr në votime qytetarët e pavendosur.
Këtë rezultat e nxjerrë edhe një sondazh nacional paraelektoral i porositur nga Indeksonline.
Në pyetjen “Paramendoni që zgjedhjet për Kuvend do mbaheshin këtë të diele, për cilën parti do të votonit?”, shumica janë përgjigjur për koalicionin PDK-AAK-Nisma.
Konkretisht, për koalicionin e madh PDK-AAK-Nisma kanë thënë se do të votonin 40.3 për qind e respodentëve.
Pas tij vjen koalicioni tjetër, ai i LDK-AKR-Alternativës, për të cilin kanë thënë se do të votonin 22.1 për qind. Kurse, për Lëvizjen Vetëvendosje kanë thënë se do të votonin 16.3 për qind e respodentëve.
Për subjektet e tjera, 3.9 për qind, ndërsa 14.1 për qind janë shprehur të pavendosur, derisa 3.3 për qind kanë deklaruar se nuk do të dalin fare në zgjedhje.
Sipas këtyre rezultateve, PDK-AAK-Nisma do t’i kishin gjithsej 51 deputetë, LDK-AKR-Alternativa gjithsej 28 deputetë, Lëvizja Vetëvendosje 21 deputetë, kurse 20 ulëset e tjera do të plotësoheshin nga komunitetet.
Në rezultatet e këtij sondazhi, Haradinaj prin edhe si kandidati më i preferuar për kryeministër, me 42 për qind.
Avdullah Hoti me 23 për qind, kurse lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me 19 për qind.
Ndërsa, në pyetjen se “Cili nga kandidatët për deputetë mendoni se do të fitojë më së shumti vota në zgjedhje?”, nga përgjigjet e respodentëve del të jetë Kadri Veseli.
Kreu i PDK-së prin me 39 për qind. Pas tij vjen Haradinaj me 27 për qind, Hoti me 15 për qind dhe Kurti me 13 për qind.
Këto përqindje janë nxjerrë vetëm nga numri i respodentëve që kanë pranuar të deklarohen për një parti politike, pra respodentë që mund të besohet se do të dilnin në zgjedhje.
Shkuarjen në zgjedhjet e kanë përkrahur 77 për qind e respodentëve. /Indeksonline/