Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, tashmë kanë nisur edhe zyrtarisht ofertat e partive politike për koalicione parazgjedhore.
Deri më tani i vetmi koalicion i konfirmuar është ai në mes AAK-së dhe PSD-së.
Në media sot u raportua se gjatë ditës pritet të bëhet zyrtarë edhe koalicioni në mes Nismës dhe AKR-së, mirëpo në AKR thonë që ende nuk ka diçka përfundimtare.
Sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli ka thënë për Telegrafin, se deri më tani nuk ka asgjë përfundimtare, pavarësisht se ky subjekt politik sipas tij ka oferta nga të gjitha partitë politike për koalicion parazgjedhor.
“Deri më tani ende nuk ka asgjë përfundimtare. Oferta kemi nga të gjitha partitë partitë, mirëpo të gjitha këto fillimisht diskutohen e pastaj vendosin organet e partisë. Do të shikojmë se me cilën parti kemi simetri të programeve qeverisëse e pastaj do të vendosim”, ka thënë Makolli.
Telegrafi ka provuar të marrë edhe një qëndrim nga zyrtarët e Nismës por të njëjtit kanë thënë se nuk mund të konfirmojnë asgjë. /Telegrafi/