Pas ndarjes së mandatit për formimin e qeverisë së re, koalicioni në mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës është deklaruar në lidhje me ngjarjet politike në vend.
Skender Rexhepi si përfaqësues i koalicionit sot në konferencë për shtyp, tha se ata nuk kanë realizuar asnjë takim formal ose të llojit tjetër, me temën e pjesëmarrjes së tyre në qeveri.
Ai i bëri thirrje BDI-së që ose ta realizojë premtimin e saj duke e bërë kryeministër Naser Ziberin, ose të shkojë në opozitë, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Dëshirojmë ta informojmë opinionin se ne nuk kemi zhvilluar asnjë takim formal a çfarëdo takimi tjetër me temën e pjesëmarrjes në qeveri dhe as që do të bisedojmë para se fituesi legal, por jolegjitim, i zgjedhjeve në kampin shqiptar, pra BDI, ta konsumojë të drejtën e tij për t’u bërë pjesë e qeverisë. Opinioni duhet ta dijë se ka përfunduar koha kur partitë shqiptare shtyheshin në derën e qeverisë se kush do të hyjë më parë në të, duke ia ulur pazarin njëra-tjetrës. Ndonëse ne jemi fituesit legjitimë të zgjedhjeve të 15 korrikut në kampin politik shqiptar, megjithatë nuk do të hyjmë në negociata derisa Bashkimi Demokratik ta përmbushë premtimin e tij për ta bërë z. Naser Zyberi kryeministër”.
“Madje, siç edhe e kemi thënë, nëse në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut vjen një propozim për kabinet qeveritar, ku z. Zyberi është kandidat për kryeministër, ne me 12 deputetët tanë do ta votojmë atë. Por, nëse BDI-ja nuk arrin ta realizojë këtë zotim, për të cilin e ka legalitetin, ajo parti nuk ka të drejtë që ndryshe të marrë pjesë në qeveri dhe prandaj vendi i saj mbetet opozita”, tha Rexhepi.
Në lidhje me tryezën e partive parlamentare shqiptare, ai tha se i janë përgjigjur pozitivisht asaj, por kanë kërkuar datë të re dhe të caktohet rendi i ditës.
“Në vend të caktimit të një date tjetër, ftuesi i këtij takimi na ka kthyer përgjigje po atë mbrëmje, pas letrës sonë, duke e caktuar rendin e ditës, por pa e ndryshuar datën e mbajtjes së takimit. Duke u gjendur në këtë pozitë imponuese, neve na u pamundësua pjesëmarrja në Tryezë, ndërsa nënteksti i këtij takimi ishte se ftesa ka qenë sa për sy e faqe, që takimi të mos realizohet. Sidoqoftë, pavarësisht kësaj, urojmë që Tryeza e Partive Parlamentare Shqiptare, si mekanizëm për koordinimin e qëndrimeve politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, do të vazhdojë të funksionojë në të ardhmen, duke i tejkaluar edhe këto pengesa”, tha Rexhepi./Telegrafi/