Telegrafi

Koalicionet e mundshme të partive politike në prag të zgjedhjeve

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh edhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar për partitë me të cilat partia e tij do të hynte në koalicion.

Ai ka theksuar se qëndrimi i AAK-së është që të mos shkojë në koalicion me ndonjërën nga partitë e mëdha, raporton RTV Dukagjini..

“Aleanca do të shkon vetëm në zgjedhje. Nuk kemi ndonjë orientim të shkojmë me ndonjë nga partitë e mëdha… Ndjejmë një afërsi me NISMA-n, PSD-në, AKR-në dhe ndonjë parti tjetër”, kishte deklaruar Haradinaj në “Debat Plus” në RTV Dukagjini.

Ndërsa, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ditë më parë ka deklaruar se qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të jetë e përbërë nga Lidhja Demokratike e Kososvës dhe  Lëvizja Vetëvendosje.

“Vetëvendosje dhe LDK jemi opozita e vërtet deri më tani. Është e logjikshme që qeveria e re për ndryshime demokratike opozitën e vërtetë duhet ta bëj qeverisje të vendit. Prandaj si hap i ndërmjetëm duhet të jetë shpërndarje e Kuvendit”, kishte deklaruar Albin Kurti.

Valmir Ismaili nga Demokracia Plus, thotë se asnjë nga partitë politike nuk kanë vullnet për të hyrë në një koalicion parazgjedhor me PDK-në.

“Është e qartë që asnjë nga subjektet politike nuk dëshiron të bëjë koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës. Shihet qartë që ka një përafrim mes LDK-së dhe Vetëvendosjes. Po ashtu edhe PSD është ndër subjektet më të papërgatitura në këto rrethana dhe pret nga do të vijë oferta më e mirë dhe t’i bashkangjitet ndonjë subjekti politikë”, tha Valmir Ismaili, përcjell Telegrafi.

Ismaili më tej shtoi se është e pritshme që AAK- NISMA dhe PSD të garojnë në një listë të përbashkët zgjedhore. /RTV Dukagjini/Telegrafi/