Telegrafi

KMLDNJ: Mogerini kërkon kokën e Haradinajt përmes presidentit Thaçi

Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMLDNJ) ka theksuar se shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Federika Mogerini po deklarohet në favor të korrigjimit të kufirit në kundërshtim me pothuaja të gjithë qytetarët.

Këto komente janë bërë në një komunikatë të dërguar për media.

“Bojkotimi i institucioneve qendrore është i qëllimshëm dhe hap i parë drejt ndarjes e që nuk po kundërshtohet as nga ndërkombëtarët e sidomos jo nga Mogerini e cila po mbanë qëndrim paternalist ndaj Serbisë dhe rebeluesve në veri të cilët (kryetarë të komunave, zyrtare të tjerë, ministra serbë në Qeverinë e Kosovës, deputetë të Kuvendit, gjykatës dhe prokurorë) paguhen nga Buxheti i Kosovës kurse janë udhëheqës të protestave dhe të bojkotimit të institucioneve të Kosovës”, thuhet në këtë njoftim.

Më tutje në këtë komunikatë thuhet se  KMLDNJ sipas tyre, është shantazhuese e pamoralshme që po shkelë të drejtat elementare të njeriut në Kosovë, në pamundësi që në mënyrë të drejtpërdrejt të ndikojë tek Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, po e përdorë rrugën më të lehtë, që ta forcojë kërcënimin ndaj Haradinajt, po e keqpërdorë presidentin Thaçi.

“Frederika Mogerini, duke kërkuar nga presidenti Thaçi ta heq taksën 100 për qind për mallrat serbe, po ndërhynë në mënyrë flagrante në punët e brendshme të Kosovës duke bërë përpjekje që përmes Thaçit, ta rrëzojë kryeministrin Haradinaj ku, përveç taksës 100 për qind do ta eliminonte një kundërshtar të vendosur për korrigjim të kufijve dhe në këtë mënyrë do t’i lehtësonte shumë punën presidentit Thaçi. Presidenti i Kosovës nuk ka vendosur taksën 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe nuk ka kompetencë t’i hjek ato”, përfundon kjo komunikatë. /Telegrafi/