Më 17 tetor 2017 monitorues të KMDLNj –së vizituan deputetin Milaim Zeka, i ndaluar me datë 16.10.2017 që është duke u mbajtur në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë.
Vizita kishte për qëllim të sigurimit të informatave nëse të ndaluarit i janë shkelur të drejtat e njeriut, që nga çasti kur është arrestuar , deri në kohën kur u vizitua nga KMDLNj.
I ndaluari i ka deklaruar KMDLNj –së se është lajmëruar në Polici me ftesë të Policisë dhe se është intervistuar në prani të avokatit dhe se nuk ka asnjë ankesë në sjelljen e policisë gjatë intervistimit.
“M. Z i ka deklaruar KMDLNj –së se arrestimit i ka paraprirë një linçim publik medial ndaj tij dhe familjes dhe se arrestimi ka qenë i koordinuar. Gjatë qëndrimit në Q. N . në Prishtinë, i ndaluari M. Z nuk ka asnjë vërejtje në sjelljen e stafit dhe nuk konsideron se ndaj tij në këtë qendër ka ndonjë veprim nga stafi që ia shkelë të drejtat e personit të ndaluar. Nuk ka deklaruar se ka ndonjë problem shëndetësor”, thuhet në njoftimin e KMDLNj.
Për KMDLNj –në është me rëndësi që nga çasti kur është arrestuar e deri kur është vizituar nga monitoruesit është respektuar procedura dhe të gjitha veprimet janë në përputhje me të drejtat ligjore dhe të drejtat e njeriut dhe se konstatimi i KMDLNj –së është me rëndësi se janë respektuar të drejtat e njeriut në këtë rast dhe se i ndaluari ka qenë i njoftuar me të drejtat që i takojnë edhe në momentin e arrestimit sikur edhe gjatë qëndrimit në Qendrën e Ndalimit.
Edhe në këtë rast KMDLNj thërret Ministrinë për Punë të Brendshme dhe Drejtorin e Policisë që në kuadër të mandatit dhe mundësive të gjejnë një zgjidhje që të përmirësohen kushtet për stafin që punon në këtë qendër si dhe për të ndaluarit e të cilat nuk janë në përputhje me standardet e kërkuara.