Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka bërë të ditur se nga banorët në fshatin Bajçinë të Podujevës është njoftuar se në varrezat e këtij fshati është vendosur një kryq i madh bashkë me flamurin kombëtar.
KMDLNj thekson se kjo ka shkaktuar zemërim të madh të banorëve.
“Provokim ndaj banorëve të Bajçinës. Në varrezat e fshatit Bajçinë të Podujevës, persona të paidentifikuar deri më tani kanë vendosur një kryq të madh, bashkë me flamurin kombëtar që ka shkaktuar zemërim të madh të banorëve.
KMDLNj – ë është njoftuar nga banorët për këtë provokim dhe përpjekje për shpërfytyrim të varrezave të fshatit ku janë varrosur banorët që thuaja qind për qind i përkasin besimit islam”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.
Tutje në reagim thuhet se e drejta e ushtrimit të lirë të besimit në Kosovë për të gjithë besimtarët është e garantuar me ligj.
“Sikur që çdo diskriminim në baza fetare duhet të sanksionohet me ligjet në fuqi. Vendosja e kryqit në varrezat e fshatit Bajçinë, pa asnjë dyshim ka për qëllim nxitjen e urrejtjes dhe mosbesimit në baza fetare dhe KMDLNj fuqishëm e dënon këtë shkelje të rëndë të drejtave të njeriut dhe ushtrimit të lirë të besimit. As në kohën e okupimit më të egër të Kosovës, regjimi i Serbisë nuk ka ndërmarrë një veprim të tillë”, thuhet në reagim.
“Është shumë e qartë se këtë veprim të shëmtuar nuk e ka bërë një person i vetëm prandaj, KMDLNj kërkon të bëjë hetime të shpejta në mënyrë që dhunuesit e të drejtave dhe lirive fetare të identifikohen, kapen dhe të përballen me ligjin”, thuhet më tej. /Telegrafi/