Site icon Telegrafi

KMDLNj: Vendosja e dy të burgosurve në të njëjtin automjet, rrezikon jetën e të dy palëve

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut kanë reaguar ndaj transportimit me një automjet për në gjykatë, për dy të dënuarit me inicialet SH.M dhe B.K, të cilët vuajnë dënimin në burgun e Sigurisë së Lartë.

Në një njoftim për media thuhet se i dënuari Shkumbin Mehmeti i ka shprehur shqetësimin lidhur me sigurinë e jetës e tij dhe familjes, pas kërcënimeve që thotë t’i ketë marrë nga i dënuari tjetër Bedri Krasniqi, në rastin e të cilit Mehmeti ishte dëshmitar, ndërsa të dy ishin vendosur në të njëjtin autoburg.

Sipas njoftimit, KMDLNj thotë se Mehmeti ka shprehur edhe dyshimet se vendosja në të njëjtën veturë me Bedri Krasniqin, është sinjal nga autoritetet që të mos dëshmojë kundër këtij të fundit.

Lexo po ashtu Suspendohet zyrtari i Shërbimit Korrektues të Kosovës, transportoi dy të burgosur me një automjet

Ndërkohë KMDLNj përmes një reagimi për media thotë se vendosja në auto burg e dëshmitarit dhe të dënuarit është lëshim i rëndë profesional dhe rrezikon jetën e të dy palëve.

Reagimi i plotë i KMDLNj-së:

Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive në Prishtinë i është drejtuar i dënuari Sh. M.  në vuajtje të dënimit në burgun për Siguri të Lartë në Gërdoc duke shfaqur shqetësim të thellë për sigurinë e tij dhe jetën sa është në vuajtje të dënimit në BSL si dhe për jetën e anëtarëve të familjes që , gjithashtu , sipas të dënuarit Sh. M janë të rrezikuar. I dënuari Sh. M . në vuajtje të dënimit në BSL në Gërdoc ka deklaruar në KMDLNj se pikërisht për faktin se është dëshmitar kundër B. K, prokurori i rastit ka kërkuar masë mbrojtëse për Sh. M prandaj për shtatë (7) vite me radhë nuk i lejohet të kontaktojë me asnjë të burgosur apo të dënuar. Për më tepër, futja në një auto burg bashkë me B. K  me ç ‘rast sipas të dënuarit Sh. M është kërcënuar ai dhe familja e tij është një sinjal i qartë që autoritetet ia kanë dërguar që të mos dëshmojë kundër B. K  e që realisht është dëshmitar.

Duke mos hyrë në këtë raport midis të dënuarve, KMDLNj i përkujton Shërbimit Korrektues të Kosovës se ka përgjegjësi për sigurinë dhe jetën e të gjithë personave të privuar nga liria për aq kohë sa ata janë nën kujdesin e SHKK-së. Është praktikë e njohur deri më tani që dy të privuar nga liria, në rast se kanë konflikt, nuk vendosen në të njëjtin burg apo vendosen në krahët e burgut ku takimi i tyre bëhet i pamundur. Në rastin konkret kur Sh. M . dëshmitar kundër të dënuarit B. K vendosen në një auto burg të përbashkët, është lëshim i rëndë profesional që seriozisht mund të rrezikojë jetën edhe dëshmitarit Sh. M . si dhe të dënuarit B. K. prandaj KMDLNj kërkon hetime të shpejta për rastin si dhe ndërmarrjen e masave që në ardhmen të mos përsëriten rastet e ngjashme. /Telegrafi/

Exit mobile version