KMDLNJ përkrah fuqishëm reformat dhe zhvillimet që kanë për qëllim ngritjen e cilësisë së mësimit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” pavarësisht asaj se nga kush udhëhiqet dhe dënon çdo ndërhyrje politike dhe jopolitike të grupeve të interesit që e rrezikojnë pavarësinë e këtij institucioni më të lartë arsimor.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë sot ka vizituar rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, nga i cili janë informuar për veprimet e deritashme për realizimin e programit të stabilizimit të gjendjes në këtë universitet.
Rektori Dema tha se problem me të cilin përballet ky institucion është mungesa e stafit administrativ ku gjithsej janë 340 punëtorë administrativ e që është numër shumë i vogël në krahasim me numrin e studentëve që i vijojnë studimet në Universitetin e Prishtinës.
Si shqetësim tjetër i rektorit Dema ishin edhe vizitat e shpeshta të cilat bëhen nga Policia e Kosovës, Inspektorati i Punës dhe Inspektorati i Arsimit që bëhen për verifikimin e vërtetimeve që lëshohen nga stafi i U.P. e që po e dëmton imazhin e Universitetit.
Ai ka njoftuar përfaqësuesit e KMDLNJ-së se regjistrimet e studentëve kanë kaluar pa probleme dhe se fillimi i vitit studentor ka filluar me kohë dhe në rregull.
KMDLNJ gjatë vizitës identifikoi problemet të cilat, nëse nuk eliminohen vetëm se do ta përkeqësojnë punën e UP.
KMDLNJ insiston të pamundësohet ndërhyrja dhe ndikimi politik në punët e universitetit që ka qenë e theksuar dhe përcaktuese në punën e tij deri më tani dhe për pasojë ka pasur politizimin e skajshëm, uljen e kritereve dhe rënien e cilësisë së ligjërimit dhe mësimnxënies.
KMDLNJ konsideron se duhet t’iu pamundësohet profesorëve të rregullt të UP-së të ligjërojnë në kolegjet private, pasi përbën konflikt interesi, ndërsa kërkon që vendimmarrja në UP të jetë transparente dhe të monitorohet nga institucionet e pavarura.