Përfaqësues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë, në kuadër të mandatit për monitorimin e të drejtave të personave të privuar nga liria dhe menaxhimin e situatës pandemike në institucionet e privimit të lirisë, u takuan sot me ministren në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe drejtorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi.
“Në takim u bisedua për gjendjen aktuale pandemike në institucionet e privimit të lirisë, menaxhimin e kësaj situate dhe kërkesat e të privuarve për pezullim të dënimit në situatë pandemike.
Përfaqësuesit e KMDLNj-së prezantuan kërkesat që kanë pranuar nga personat e privuar nga liria, shqetësimet e tyre dhe të familjeve të tyre në këtë situatë. Gjithashtu, përcollën edhe informata se të privuarit nga liria kanë paralajmëruar përshkallëzim të veprimeve, pas pezullimit të grevës së urisë në shumë institucione, pas datës 4 maj.
Gjithashtu, përfaqësuesit e KMDLNJ-së përsëritën shpresën që presidenti Hashim Thaçi do të shfrytëzojë të drejtën e tij kushtetuese për falje”, thuhet në njoftimin për media.
Një problem tjetër që u theksua ishin edhe ankesat në punën e Panelit për Lirim me Kusht, i cili duhet të ishte më aktiv në këtë kohë.
Në këtë takim u bisedua edhe për projektin e KMDLNj-së për ndihmë humanitare personave të privuar nga liria dhe familjeve të tyre të financuar nga Rrjeti i Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur nga Zyra Qendrore në Nju Jork dhe dega për Kosovë – Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur ( KFOS ).
Asistenca humanitare do të jepet për 185 familje që do të përzgjidhen nga KMDLNJ në kohëzgjatje prej tre muaj dhe kap shumën nga 170 euro për muaj, në vlerë totale 94 mijë e 350 euro. /Telegrafi/