Site icon Telegrafi

KMDLNJ: Mos i keqpërdorni për qëllime politike policët e rrëmbyer të Kosovës

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) përmes një komunikate drejtuar mediave, ka kërkuar që policët kosovarë që u arrestuan nga forcat serbe të mos keqpërdoren për qëllime politike.

Në reagimin e bërë KMDLNj thotë se, opinioni duhet ta ketë të qartë se qeveria e Kosovës e dhe asnjë institucion tjetër nga Kosova nuk ka asnjë mundësi të ketë qasje te policët e rrëmbyer prandaj, thuaja të gjitha deklaratat janë deklarata politike, për përdorim të brendshëm.

“Është joserioze nga një politikan që të deklarojë se ndaj policëve kosovarë është përdorur dhunë në kohën kur nuk e kanë asnjë informatë të vetme. Vetëm sa shqetësojnë familjarët dhe opinionin duke shpërndarë informata të pavërtetuara. Apo se policët e rrëmbyer janë të burgosur politikë kur nuk kanë as aktakuzë të ngritur apo vendim të gjykatës të formës së prerë”, thuhet mes tjerash në reagim.

Lexo po ashtu Takimi Kurti - Vuçiq, analistët vlerësojnë se nuk ka alternativë tjetër për tejkalimin e situatës

Më poshtë reagimi i plotë:

Tre policë të Policisë së Kosovës që u rrëmbyen brenda territorit të Kosovës pas qëndrimit në ndalim policor iu është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve dhe tani, sipas mediave serbe ata janë në Qendrën e Paraburgimit në Kralevë, Serbi. Këtë e vërtetoi edhe kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq që në një drejtim qytetarëve të Serbisë, midis tjerash deklaroi se ata nuk i ka prekur askush me dorë dhe po trajtohen sikur të ishin në hotel në kohën që, së paku deri më sot nuk ka lejuar asnjë burim të pavarur t’i vizitojë policët e rrëmbyer e që do të raportonte për gjendjen e tyre apo trajtimin eventual jo të mirë ndaj tyre.

Serbia nuk është e njohur për trajtimin e mirë të personave të privuar nga liria sepse trajtimi i tyre nuk monitorohet nga burimet e pavarura. Për rastet e të të arrestuarve (më herët), shtetas të Kosovës, KMDLNj–ë nuk ka informata se janë keqtrajtuar gjatë bisedave me ta dhe familjarët prandaj edhe me rastin e trajtimit të tre policëve të rrëmbyer, në mungesë të informatave askush nuk mund të thotë asgjë konkrete për keqtrajtim eventual.

Se çka thotë Aleksandar Vuçiq nuk paraqet ndonjë interes për faktin se nuk është burim i pavarur i informatave. Po të donte, pa asnjë dyshim do të siguronte qasje për të vizituar policët e rrëmbyer nga ndonjë burim i pavarur në ndërkohë që KMDLNj –ë ka shfaqë vullnet dhe gatishmëri që në çdo kohë, nëse sigurohen kushtet, t’i vizitojë policët e Kosovës.

Institucionet e Kosovës, kurrë dhe në asnjë çast nuk kanë penguar vizitat e monitoruesve apo familjarëve në raste kur shtetasit e Serbisë apo serbët e Kosovës (me shtetësi të dyfishtë) janë arrestuar në Kosovë, qoftë gjatë paraburgimit apo vuajtjes së dënimit. Pra, institucionet e Kosovës janë treguar shumë transparente duke lejuar vizitat përjashtuar rastet e fundit kur, në pamundësi të dërgohen në mbajtje për shkak të bllokadave, janë mbajtur në veri në mbajtje të improvizuar. Që paradoksi të jetë edhe më i madh, as shefit të Zyrës së Kosovës në Beograd, deri më sot nuk i është lejuar t’i vizitojë policët e arrestuar.

Opinioni duhet ta ketë të qartë se qeveria e Kosovës e dhe asnjë institucion tjetër nga Kosova nuk ka asnjë mundësi të ketë qasje te policët e rrëmbyer prandaj, thuaja të gjitha deklaratat janë deklarata politike, për përdorim të brendshëm. Është joserioze nga një politikan që të deklarojë se ndaj policëve kosovarë është përdorur dhunë në kohën kur nuk e kanë asnjë informatë të vetme. Vetëm sa shqetësojnë familjarët dhe opinionin duke shpërndarë informata të pavërtetuara. Apo se policët e rrëmbyer janë të burgosur politikë kur nuk kanë as aktakuzë të ngritur apo vendim të gjykatës të formës së prerë.

Ky është keqpërdorim flagrant i postit, për qëllime politike. Opozita nuk ka të drejtë të akuzojë qeverinë për fatin e policëve të rrëmbyer për faktin se edhe nëse ata do të ishin në pushtet nuk do të bënin asgjë më shumë. Institucionet e Kosovës janë krejtësisht të pafuqishme të bëjnë diç më shumë përjashtuar këtu sigurimin e mbrojtjes ligjiore duke paguar mbrojtjen e tyre sikur edhe shpenzimet për familjarë nëse ata kanë nevojë për shpenzime që ndërlidhen me rastin.

KMDLNj –ë thërret të gjithë akterët, pozitë dhe opozitë, media dhe persona me ndikim që të përmbahen nga deklaratat e papërgjegjshme që shkaktojnë paqartësi dhe huti te familjarët dhe opinioni, duke rritur shpresat dhe duke caktuar data për lirimin e policëve të rrëmbyer. Nuk ka asnjë dyshim që qeveria e Kosovës përmes kanaleve diplomatike angazhohet që çështje e policëve të rrëmbyer të zgjidhet sa më shpejtë por se kjo nuk është në dorën e tyre.

KMDLNj –ë shpreson se policët e rrëmbyer do të lirohen shpejtë, se ata janë mirë me shëndet dhe se ndërkombëtarët e kanë në duar dinamikën e lirimit të tyre për faktin se kanë kërkuar lirim të pakushtëzuar.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq i Gjenevës ka mandat t’i vizitojë rastet me ndjeshmëri të lartë dhe, në bazë të vlerësimit të tyre edhe mund t’i vizitojnë policët e rrëmbyer. Se a do të ketë kohë ta bëjnë këtë mbetet të shihet shkaku se KMDLNj –ë mendon se policët do të lirohen në ndërkohë.

KMDLNj –ë uron që kjo çështje të përfundojë sa më parë dhe se Policia e Kosovës, nga ky pësim (e nuk është pësimi i parë) do të nxjerrë mësime për të ardhmën në mënyrë që të sigurojë një mbrojtje efektive për policët që kontrollojnë kufirin me Serbinë. /Telegrafi/

Exit mobile version