Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka thënë sot se autoritetet serbe po i keqpërdorin bisedimet, duke shtuar se iu shkaktuar probleme shtetasve të Kosovës, të cilët për shkaqe të ndryshme udhëtojnë përmes Serbisë.
KMDLNj kërkon nga qytetarët e Kosovës që në të gjitha rrethanat kur ka mundësi të përdoret një rrugë alternative e udhëtimit dhe t’i shmangen udhëtimit përmes Serbisë.
Lexoni të plotë reagimin e KMDLNj-së pas arrestimit të shtetasit të Kosovës Ibrahim Matoshi nga autoritetet serbe.
“Autoritetet serbe, gjatë udhëtimit e ndaluan dhe e arrestuan shtetasin kosovar Ibrahim Matoshi me arsyetim se dyshohet për një vepër penale të vitit 1999 . Ibrahim Matoshi është dërguar në paraburgim pa e pasur të qartë pse është arrestuar. Nuk është hera e parë që shtetasit kosovarë arrestohen gjatë udhëtimit nëpër Serbi dhe pastaj lirohen, ose në mungesë të fakteve ose me dorëzani (kaucion).
Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje për lëvizje të lirë e cila, ose nuk respektohet fare, ose respektohet vetëm pjesërisht. Autoritetet serbe po i keqpërdorin bisedimet duke shkaktuar probleme për shtetasit e Kosovës që për shkaqe të ndryshme udhëtojnë përmes Serbisë si dhe për shtetasit e Kosovës që punojnë apo jetojnë në shtetet perëndimore duke i ndaluar ata, duke i arrestuar dhe duke i detyruar të paguajnë para për lirimin e tyre ndonëse nuk kanë arsye për ndalimin e tyre.
KMDLNj, edhe më parë, edhe tash e ripërsërit kërkesën që në të gjitha rrethanat kur ka mundësi të përdoret një rrugë alternative e udhëtimit. Shtetasit e Kosovës dhe bashkatdhetarët t’i shmangen udhëtimit përmes Serbisë në mënyrë që të kursehen nga pritjet e qëllimshme në vendkalimet kufitare, maltretimeve nga policia serbe gjatë udhëtimit dhe arrestimeve të mundshme për vepra që shteti serb, sipas nevojave politike dhe të tjera sajon dosje, si arsyetim për t’i mbajtur nën arrest dhe për t’iu zhvatur para.
Jo rrallë ndodhë që bashkatdhetarët që punojnë në shtetet perëndimore ndalohen nga autoritetet serbe, mbahen një kohë deri sa paguajnë një shumë të parave, lirohen por e humbin vendin e punës në shtetin ku punojnë apo përballen me probleme të shumta.
Autoritetet kosovare janë të pafuqishme të ndikojnë në këto raste kurse bashkësia ndërkombëtare, si lehtësues i këtyre bisedimeve dhe garantues i zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në përgjithësi kurse në rastin konkret marrëveshjes për liri të lëvizjes, në emër të mosndërhyrjes në pavarësinë e gjyqësorit në Serbi, sillen në mënyrë oportuniste dhe në këtë mënyrë, në heshtje përkrahin maltretimin që iu bëhet shtetasve të Kosovës dhe atyre nga diaspora gjatë kalimit nëpër Serbi.
Në fushën e të drejtave të njeriut nuk njihet dhe nuk pranohet parimi i zbatimit të masave të reciprocitetit siç kërkojnë disa autoritete politike në Kosovë prandaj KMDLNj e kundërshton këtë qasje mirëpo kërkon që të zbatohet ligji në rast të vizitave të autoriteteve politike dhe fetare serbe që e përdorin gjuhën e urrejtjes në baza etnike apo që e rrezikojnë sigurinë e vendit. Po të veprohej në përputhje me ligjin, edhe arrestimet e shqiptarëve që udhëtojnë përmes Serbisë do të minimizoheshin krejtësisht dhe autoritetet serbe do të ishin shumë të kujdesshme.
KMDLNj, për shkak të raporteve të çrregulluara me Serbinë dhe shkaku se Serbia nuk ka gatishmëri të bashkëpunojë edhe në rastet e privimit nga liria kërkon që të formohet një mekanizëm joqeveritar që do të kishte mandat t’i vizitojë personat e privuar nga liria aq më parë që në burgjet e Kosovës ka shtetas të Serbisë, nën hetime apo në vuajtje të dënimit sikur që në burgjet e Serbisë ka shtetas të Kosovës.
Për shkak të mungesës së bashkëpunimit, personat e privuar nga liria ballafaqohen me shkelje të të drejtave të njeriut dhe se nuk kanë një adresë për realizimin e këtyre të drejtave. /Telegrafi/