Site icon Telegrafi

KMDLNj bën fajtorë edhe ndërkombëtarët për mos votimin e Demarkacionit – tregon arsyet pse tanimë duhet votuar

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut vlerëson se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi është çështja që më së tepërmi është përdorur dhe është keqpërdorur për qëllime politike, përfitime personale, partiake dhe klanore.

Sipas KMDLNJ-së, opozita, cilado që ishte ajo, Demarkacionin e përdornin si armë politike dhe jo vetëm politike për ta luftuar pozitën kurse në anën tjetër pozita e përdorte demarkacionin si mjet legal për diskreditimin e opozitës dhe adresimin e përgjegjësisë për mosliberalizim të vizave sikur edhe për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.

“Që të dyja këto blloqe politike ushqeheshin nga menyja e njëjtë ku, delikatesë ishte Demarkacioni. Këto skaje politike ishin skajshmërisht manipuluese dhe pa asnjë dyshim për aq sa ishte e interesuar opozita të mos kalojë demarkacioni, hiç më shumë ishte e interesuar pozita që të kalojë demarkacioni”, thuhet në një komunikatë të KMDLNj-së.

Madje, sipas këtij institucioni, edhe ndërkombëtarët luanin me dy palë letra të cilat i hapnin vetëm ato që iu interesonin.

Më poshtë ua sjellim reagimin e plotë të KMDLNj-së:

TRI ARSYE PSE DUHET TË VOTOHET DEMARKACIONI , LIBERALIZIMI I VIZAVE ËSHTË E FUNDIT !

Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi është çështja që më së tepërmi është përdorur dhe , të jeni të drejtë në gjykim , është keqpërdorur për qëllime politike , përfitime personale , partiake dhe klanore . Opozita , cilado që ishte ajo , Demarkacionin e përdornin si armë politike dhe jo vetëm politike për ta luftuar pozitën kurse , në anën tjetër pozita e përdorte demarkacionin si mjet legal për diskreditimin e opozitës dhe adresimin e përgjegjësisë për mosliberalizim të vizave sikur edhe për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë. Që të dyja këto blloqe politike ushqeheshin nga menyja e njëjtë ku , delikatesë ishte Demarkacioni. Këto skaje politike ishin skajshmërisht manipuluese dhe , pa asnjë dyshim për aq sa ishte e interesuar opozita të mos kalojë demarkacioni , hiç më shumë ishte e interesuar pozita që të kalojë demarkacioni .

Edhe ndërkombëtarët luanin me dy palë letra të cilat i hapnin vetëm ato që iu interesonin. Nuk kishte vullnet nga ndërkombëtarët që të përdoreshin mjetet e “ dhunës demokratike “ , ndaj dy palëve që ky proces të përmbyllet.

Kur ishte rasti për votimin e Gjykatës Speciale apo përpjekje për zhbërje të saj , ndërkombëtarët u treguan të vendosur dhe shumë të pamëshirshëm duke i përdorur të gjitha mjetet e lejuara dhe të palejuara për ta detyruar , jo për ta bindur , lidershipin kosovar, që patjetër duhet ta votojnë formimin e Gjykatës Speciale e cila paraqet presedan ndërkombëtarë dhe nuk njihet një rast i ngjashëm në praktikat e Gjykatave ndërkombëtare për Krime lufte , sikur kjo Gjykatë “ e Kosovës “. Interesi ndërkombëtar ishte të votohej me çdo kusht dhe pa asnjë kusht nga Kosova Gjykata Speciale sikur që nuk ishte aq çështje e ngutshme për ndërkombëtarët të votohet Demarkacioni , në të kundërtën , kjo çështje do të llogaritej si e përfunduar. Për Gjykatën Speciale kishte shumë interesim të votohej sidomos nga Lista serbe , Vetëvendosje ! ishte kundër kurse LDK e votoi dhe pse mos ta votonte kur këtë e bëri edhe PDK. AAK dhe Nisma , si opozitë ishin kundër Gjykatës Speciale. Gjykatën Speciale Lista Serbe e votoi pa asnjë kushtëzim. Demarkacionin e kundërshtuan fuqishëm Vetëvendosje ! , AAK , Nisma si dhe një pjesë e deputetëve të LDK-ë dhe PDK-së . Lista Serbe po e luan lojën e ndyrë të kushtëzimit e cila lejohet sidomos në banana republikat – shtete të Ballkanit sikur që edhe ndërkombëtarët po e pranojnë në heshtje këtë kushtëzim . Kushtëzimi është ; formimi i Asociacionit të komunave serbe , jo sipas mendimit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës por në bazë të Marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel e cila parasheh autonomi territoriale dhe politike të serbëve në Kosovë . Ndoshta edhe formimi i disa komunave tjera serbe në Kosovë. Demarkacionin edhe më tutje po e kundërshton Vetëvendsoje kurse të tjerët janë të gatshëm ta votojnë në ndërkohë që përcaktuese po del të jetë Lista Serbe që do të jetë përfituesi më i madh nga ky proces i stërzgjatur dhe manipulativ siç është Demarkacioni. U formuan dy komisione qeveritare që kanë të gjetura diametralisht të kundërta me njëri – tjetrin , Komisioni Meha që thotë se Kosova nuk e humbl as edhe një milimetër të vetëm të territorit kurse Komisioni Bulliqi thotë se Kosova humbë 8200 hektarë tokë. Dikush këtu , duke manipuluar me shifra , po i mashtron qytetarët e Kosovës sikur që po i ushqen politikanët për veprimet e tyre të papërgjegjshme dhe dikush duhet t’i nënshtrohet përgjegjësisë !

Pavarësisht lojërave me numra , KMDLNj mendon se duhet të votohet Demarkacioni pasi jemi para një akti të kryer dhe nuk kemi asnjë mundësi ta kthejmë procesin në pikën filletare , në pikën zero. Mirëpo KMDLNj është kundër asaj që procesi i liberalizimit të vizave të joshet me votimin e Demarkacionit sepse në këtë mënyrë politikanët mashtrues , vendorë dhe ndërkombëtarë po e bëjnë një premtim që nuk siguron liberalizimin e vizave . KMDLNj vlerëson se janë tri ( 3 ) arsye pse duhet të votohet Demarkacioni me Malin e Zi :

Është shumë me rëndësi përkufizimi territorial me Malin e Zi dhe me çdo shtet fqinj . Një shtet që nuk i ka të përkufizuar dhe të pranuar kufijtë me shtetet përreth , mbetet çështje e hapur dhe paraqet konflikt territorial të ngrirë . Mosratifikimi i kufijve ngjallë dyshimet te ato shtete që nuk e kanë njohur dhe pranuar ende Kosovën si shtet. Në rastin konkret , mosratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit i konvenon Malit të Zi dhe Serbisë por jo edhe Kosovës. Këto dy shtete kanë shkuar shumë shpejt drejt proceseve të integrimit në NATO dhe BE kurse Kosova nuk është asgjëkundi. Mosratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit e lë Kosovën pa kufinj dhe ky është rrezik i madh.

Ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit forcon raportet e fqinjësisë së mirë me Malin e Zi , e rritë lirinë e lëvizjes dhe qarkullimin e mallrave dhe ideve sikur që siguron kushte më të mira për liberalizim të tregtisë me këtë shtet. Nëse vazhdon edhe më tutje ky status quo , qytetarët e Kosovës do të futen edhe më shumë në geto . Në planin afatgjatë , forcimi dhe normalizimi i marëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Malin e Zi paraqet interes strategjik për Kosovën në të gjitha aspektet. Dhe ,
Ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi krijon mundësi për liberalizim të vizave e që nuk nënkupton se ky liberalizim i vizave bëhet sipas një automatizmi. Ratifikimi i Marrëveshjes është një fakt i prekshëm dhe i matshëm se është plotësuar kushti i vendosur çka edhe nuk mund të thuhet për luftën kundër korrupsionit për të cilën nuk ka masë matëse .

Sidoqoftë , liberalizimi i vizave nuk varet vetëm nga ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit mirëpo , deshëm apo nuk deshëm ky ratifikim do të ndodhë . Ose , duhet të ratifikohet kjo Marrëveshje ose duhet që të gjithë politikanët që janë pajisur me viza , t’i kthejnë prapa pasaportat dhe ta ndajnë fatin e qytetarit që për vite të tëra kujdestaron para ambasadave të huaja për një vizë të cilën në të shumtën e rasteve nuk e merr. Përfundimisht KMDLNj vlerëson se marrëveshja duhet të ratifikohet dhe , nëse vërtetohet pas bisedave plotësuese sqaruese me Malin e Zi gjatë vendosjes së pikave të kufirit se janë bërë lëshime në dëm të territorit të Kosovës , Prokuroria e Shtetit duhet t’i nisë hetimet kundër shpërdoruesve të mundshëm. Në këtë mish – mash të krijuar dikush duhet t’i nënshtrohet përgjegjësisë , qoftë për dëmtim territorial , qoftë për manipulim me territore të humbura! (sic) /Telegrafi/

Exit mobile version