Menaxheri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, thotë se goli i parë ndaj Borussia Dortmundit në çerekfinalen e parë të Europa League nuk është aspak i rëndësishëm.
Para ndeshjes kthyese në Anfield, strategu gjerman thotë se barazimi 1-1 ndaj ish-klubit të tij nuk është vendimtar për kualifikimin e mëtutjeshëm të Redsave.
“Goli si mysafir bën diferencën vetëm nëse merrni rezultatin e duhur në takimin e dytë. Dortmundi mund të shënojë kundër cilësdo skuadër në botë”.
“Nuk duhet të shpresoni vetëm në ruajtjen e portës së paprekur. Ndoshta pas 85-89 minutave goli si mysafir mund të jetë relevant, por jo më herët”.
“Është ndeshje e hapur. Fusha është avantazh më i madh se goli si mysafir. Vetëm në rezultatin 0-0 është avantazh. Nëse fitojmë, nuk na duhet fare”, ka thënë Klopp në konferencën për shtyp.
Nëse Liverpooli kualifikohet në gjysmëfinale, kjo do të jetë hera e parë që ‘Të Kuqtë’ e arrijnë këtë në gjashtë vjetët e fundit.