Site icon Telegrafi

Klopp pranon dënimin për festën e tij në ndeshjen ndaj Evertonit: Nuk munda ta ndal veten

Jurgen Klopp (Foto: Clive Brunskill/Getty Images/Guliver)

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e ka pranuar dënimin për shkak të hyrjes në fushë në ndeshjen kundër Evertonit, kur skuadra e tij shënoi golin e fitores.

Zhvillohej minuta e gjashtë shtesë në Anfield kur Divock Origi e realizoi golin e fitores, ndërsa strategu gjerman vrapoi drejt portierit Alisson Becker duke e përqafuar.

Për shkak të kësaj shkeljeje, Klopp është gjobitur me 8.000 funte (8.980 euro) nga Federata Angleze e Futbollit dhe është paralajmëruar për sjelljet e tij në të ardhmen.

“Për këtë janë rregullat. Nuk mund t’i shmangesha… Nëse i shkel rregullat, duhet të dënohesh”, ka thënë Klopp.

Lexo po ashtu Lajmet për Jurgen Klopp

Trajneri Redsave më herët ka kërkuar falje për veprimin e tij dhe ka thënë se diçka e ngjashme nuk do të përsëritet më.

Jurgen Klopp (Foto: Clive Brunskill/Getty Images/Guliver)

“Më duhet të kërkoj falje, sepse nuk dua të jem mosrespektues – por nuk munda ta ndal veten. Nëse do të mund ta përshkruaja se si jam ndier në momentin kur u shënua goli, atëherë do kisha pasur edhe kontrollin. Nuk dua të gjej arsyetime, por kështu ndodhi”.

“Plani nuk ishte të vrapoja. Kur vendosa të ndalesha, isha pranë Alissonit. Ai u befasua”.

“Herën e fundit që kam bërë diçka të tillë ka qenë para 14 vitesh. Nuk jam më i shpejtë… Po të mos kishte rregulla, atëherë trajnerët vazhdimisht do të festonin në fushë”, ka treguar 51-vjeçari. /Telegrafi/

Exit mobile version