Jurgen Klopp beson se Liverpooli do t’ia prishë planet Manchester City në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve që zhvillohet të mërkurën mbrëma.
Redsat ia kanë shkaktuar humbjen e vetme liderit të Ligës Premier këtë sezon, ndërsa dy skuadrat angleze janë vënë përballë edhe në garën e madhe evropiane.
Strategu gjerman është i bindur se skuadra e tij do të luajë sërish më mirë se City, në përpjekje për të siguruar pjesëmarrjen në gjysmëfinale.
“Kemi shumëçka që nuk i pëlqen Man Cityt. Ky është realiteti. Mënyra si e sulmojmë kundërshtarin, mënyra si mbrohemi, janë gjëra që nxisin pakënaqësi (te kundërshtarët)”.
“Nëse e bëjmë këtë gjë mirë, atëherë ata do ta kenë të vështirë të përballen (me ne). Mendoj se shumë trajnerë, trajnerë të rinj nga e gjithë bota, do të jenë duke i shikuar këto ndeshje në mënyrë që të gjejnë zgjidhje se si të luajnë në mbrojtje”.
“Ndërsa duke e bërë këtë, i jep vetes mundësi që të bëhesh i rrezikshëm në sulm, kundër ekipeve më të mira, si Barcelona dhe po ashtu edhe Man City tash për tash. Do të jetë shumë entuziazmuese”.
“Nuk ka garanci se kjo do të ketë sukses, në fund janë lojtarët në fushë ata që e vendosin lojën. Por, nuk do të jetë befasi nëse do të ketë magji në krahët e djathtë dhe të majtë”.
“Duhet të kesh guxim, të marrësh iniciativën, të bësh lojën tënde, kurdo që e kanë topin, të jesh shumë kompakt dhe i shpejtë. Prandaj, nga pikëpamja e futbollit, kjo do të jetë një ndeshje shumë interesante”, ka thënë Klopp për UEFA. /Telegrafi/