Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Romës.
Liverpooli e pret Romën nesër (e martë) në ndeshjen e parë gjysmëfinale dhe Klopp ka treguar se ka shumë respekt dhe sipas tij dy skuadrat e meritojnë kualifikimin në finale.
“Të dyja ekipet e meritojnë atë [finalen]. Roma ka gjithë respektin tim”, ka thënë fillimisht Klopp në konferencën për shtyp.
“Ne të dyja skuadrat kemi mundësinë të shkojmë në finale – dhe kjo është e gjitha që kam nevojë. Le të përpiqemi për ta bërë këtë”.
“Ata [tifozët] krijojnë një nga atmosferat më të veçanta në futbollin botëror. Nuk e di a do të jetë atmosfera në stadiumin më e mirë se ndaj Cityt, por të provojmë, e di që do të jenë të përsosur”.
Tutje, gjermani ka folur edhe për trajnerin e Romës, Eusebio Di Francesco dhe sulmuesin boshnjak, Edin Dzeko, për të cilët ka shumë respekt.
“Të dy mbajmë syze dhe kemi mjekër. Ne kemi ndjekur rrugën e njëjtë për të arritur të klubet e mëdha. Ne kemi filluar me klube të vogla, ku kemi pasur sukses dhe ja ku jemi tani”.
“Edin Dzekon e njoh nga Gjermania, më pëlqen ta shoh atë. Kualiteti në atë ekip është tek skuadra – të gjithë janë shumë të mirë. Ata kanë shumë opsione”, përfundoi trajneri i Liverpoolit. /Telegrafi/