Bosi i Liverpoolit, Jurgen Klopp pohon se Manchester City është “ende skuadra më e mirë në botë”, pavarësisht se është në krye të Ligës Premier.
The Reds dhe Citizens do të përballen gjatë ditës së sotme në stadiumin “Etihad” me fillim në ora 20:00.
City ka humbur dy nga tre ndeshjet e fundit të ligës dhe janë të tretit, një pikë pas vendit të dytë, Tottenham Hotspur.
Por, Klopp tha se përballja me Cityn është “një nga ndeshjet më të vështira që mund të luani në botën moderne të futbollit”.
“Duhet të jemi të përgatitur sa më mirë që të jetë e mundur, duhet të jemi të guximshëm, duhet të jemi plot dëshirë, të zemëruar, si në të gjitha ndeshjet e tjera”, tha Klopp.
“Por, aq sa kam njohuri, kundërshtari për mua është ende skuadra më e mirë në botë. Vetëm pikët ndryshojnë, jo përgatitja për lojën”.
City, i cili fitoi kampionatin e sezonit të kaluar me një rekord prej 100 pikësh, nuk ka fituar në katër ndeshjet e fundit kundër Liverpoolit.
Ndryshe, Liverpool është në ndjekje të titullit të tyre të parë të ligës që nga viti 1989-90 dhe janë skuadra e vetme e pamposhtur në ligë këtë sezon. /Telegrafi/