Site icon Telegrafi

Klopp: Lojtarët nuk do ta kërkojnë largimin, nëse Liverpooli nuk kualifikohet në Ligën e Kampionëve

Jurgen Klopp ka insistuar se lojtarët nuk do të largohen në këtë verë, nëse Liverpooli nuk arrin të kualifikohet në Ligën e Kmapionëve.

The Reds janë duke luftuar në këtë edicion për një vend në top katërshe, derisa për ta erdhi edhe humbja e katërt në Anfield, tani nga Chelsea me rezultat 1-0.

Klopp beson se lojtarët e tij nuk do të largohen nga skuadra edhe nëse nuk ia dalin të kualifikohen për garën për të madhe për klube në Evropë.

“Ky klub nuk do të jetë jashtë Ligës së Kampionëve”, ka thënë trajneri gjerman.

“Ky vit është i vështirë, ne e dimë atë, por potenciali dhe fuqia e klubit është krejtësisht e ndryshme”.

“Ky është një sezon ku duhet të kesh vrull dhe asnjëherë nuk e morëm, kjo është e vërtetë. Por, nuk thotë asgjë për të ardhmen, ky klub është në një pozitë vërtet të mirë. Në kohë të vështira, padyshim, por në një pozitë më të mirë se klubet e tjera do të thosha”.

“Unë e kuptoj atë që ka ndodhur në të kaluarën, por ajo që mund të them [është se] askush nuk duhet të shqetësohet për të ardhmen e klubit sepse është në duar të mira dhe ne kemi një ekip vërtet të mirë së bashku”.

“Kjo është padyshim baza më e mirë për një të ardhme të mirë së bashku”, ka shtuar më tej Jurgen Klopp.

Liverpooli është aktualisht në vendin e shtatë me 43 pikë, katër më pak se Chelsea që është në të katërtin. /Telegrafi/

Exit mobile version