Telegrafi

Klopp kundër tërheqjes së dënimit të Cityt: Nuk është situatë e mirë për futbollin

Jurgen Klopp ka thënë se tërheqja e dënimit të Manchester Cityt nga Gjykata e Arbitrazhit të Futbollit, që ishte vendosur nga UEFA nuk është situatë e mirë për futbollin, shkaku që tani edhe klubet e tjera mund të bëjnë të njëjtin veprim.

Citizen ishin ndëshkuar fillimisht me dy vite mospjesëmarrje në garat evropiane nga shtëpia më e madhe e futbollit në kontinentin e vjetër për shkak të thyerjes së rregullave të transferimeve, derisa u zëvendësuar të hënën me vetëm një gjobë dhjetë milionë euro.

Trajneri i Liverpoolit fillimisht tha se mirë që City do të jetë në Ligën e Kampionëve për edicionin e ri, mirëpo gjoba prej dhjetë milionë eurosh është qesharake.

Lexo po ashtu Zyrtare: Merret vendimi nga CAS, City nuk përjashtohet nga Liga e Kampionëve

“Mendoj se rregulli financiar është një ide e mirë. Është aty për t’i mbrojtur skuadrat, për të mbrojtur garat. Ishte një ide në fillim që askush mos të shpenzojë mbi shumën e lejuar”, ka thënë Klopp.

“Para fillimit të sezonit, klubet sigurohen që paratë që i kanë fituar t’i shpenzojnë në mënyrën e duhur, le të themi kështu. Mendoj se rregulli financiar duhet të vlejë për të gjithë dhe jo vetëm për disa klube, shkaku që aty më nuk ka rregullore”.

“Kjo çfarë ka ndodhur nuk është situatë e mirë për futbollin, shkaku që tani edhe klubet e tjera kanë të drejtë të bëjnë të njëjtën gjë dhe mos të ndëshkohen”, ka shtuar më tej ai.

Duket se Gjykata e Arbitrazhit në futboll ka një mbështetje për klubet që udhëhiqen nga sheikët e Arabisë Saudite, shkaku që as Paris Saint-Germain nuk ishte ndëshkuar për transferimin e Kylian Mbappes dhe Neymarit. /Telegrafi/