Site icon Telegrafi

Klopp me kritika të ashpra në drejtim të VAR-it, pretendon se Liverpoolit iu mohua një penallti

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e ka pasur të vështirë ta fsheh nervozizmin e tij me gjyqtarët pasi ekipit të tij iu mohua një penallti në ndeshjen ndaj Arsenalit.

Liverpool u ndal me barazim 1-1 nga Arsenali në “Anfield”, një rezultat që i shkoi përshtati mysafirëve pasi në këtë mënyrë ata e ruajtën lidershipin në Ligën Premier.

Arsenal mori epërsinë pas një goli me kokë të Gabriel Magalhaes pas vetëm tre minutave lojë.

Liverpooli iu kundërpërgjigj mirë dhe menduan se kanë fituar një penallti kur mesfushori i Arsenalit, Martin Odegaard e preku topin me dorë brenda zonës së rrezikshme..

Përkundër faktit që regjia vazhdimisht e ripërsëriste rastin kur Odegaard rrëshqiti dhe e preku topin me dorë, VAR-i nuk ndërhyri për të dhënë penallti në favor të Liverpoolit, diçka që shkaktoi zemërim të madh në mesin e tifozëve të këtij ekipi.

“Jam shumë i sigurt se dikush do të ma shpjegojë mua dhe do të më thotë se nuk ishte prekje me dorë, por nuk e di se si”, ka thënë Klopp pas ndeshjes kur u pyet për këtë rast.

“Nuk mund të them se gjyqtari nuk mundi ta shoh pasi nuk e kam idenë se ku ishte ai në atë moment. Por kur dikush ulet në zyrën e tyre, si munden ata të mos vijnë në përfundim se ja vlente ta rishikonin edhe një herë”, u shpreh ai.

Lexo po ashtu Jurgen Klopp “lëndon” lojtarin e tij ndaj Arsenalit, ai u detyrua të largohej nga loja

Në një tjetër intervistë për beIN Sports, Klopp ‘sulmoi’ ish-gjyqtarin e Ligës Premier, Dermot Gallagher, i cili vazhdimisht i diskuton vendimet e VAR-it në studion e Sky Sports.

“Mendoj se të gjithë mund të pajtohemi se ishte prekje me dorë, por dikush nesër do të gjejë diçka rreth kësaj. Mr. Dermot me shumë mundësi do ta shpjegojë dhe do të na tregojë se pse nuk ishte prekje me dorë”, përfundoi tekniku gjerman./Telegrafi/

Exit mobile version