Trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp ka thënë të premten se ai është i bindur se moskualifikimi për në Ligën e Kampionëve nuk do të këtë një ndikim të madh në planet e tij për transferime.
Klopp edhe më parë ishte pajtuar për reduktimin e buxhetit për transferime, pavarësisht se kishin përfunduar kampionë në Ligën Premier.
Llogaritë e botuara këtë javë treguan se klubi nga “Anfield Road” ka humbje prej 46 milionë funte.
Kjo mund të ketë një ndikim financiar nëse gjashtë herë kampionët evropianë Liverpooli nuk arrijnë të përfundojnë në katër vendet e para, por Klopp beson se nuk do të bëjë një ndryshim të madh në planet e tij.
“Unë nuk mendoj kështu, me të vërtetë. Të luash në Ligën e Kampionëve është padyshim gjë e madhe, veçanërisht nga pikëpamja financiare për klubin, kështu që është me të vërtetë e rëndësishme”.
“Nëse nuk mund ta bëjmë këtë, atëherë nuk do të ishte mirë. Patjetër që jo. Nuk mendoj se do të ndryshojë asgjë sepse situata ishte e vështirë më parë dhe është e vështirë më pas”.
“Futbolli është në një situatë të vështirë. Unë nuk mendoj se do të ndryshojë shumë”, ka thënë Klopp. /Telegrafi/