Trajneri i Feronikelit, Klodian Duro ka mbetur i kënaqur me lojën e ekipit të tij në barazimin e vlefshëm në udhëtim te Prishtina.
Prishtina dhe Feronikeli u ndanë baras 0-0 në super ndeshjen e vlefshme për javën e 16-të në Superligën e Kosovës.
Ky barazim e ka lënë të kënaqur trajnerin e klubit nga Drenasi, Klodian Duro.
“Jam i kënaqur nga paraqitje e djelmoshave dhe kemi bërë një lojë të mirë si çdo herë ndeshjeve të fundit”, ka thënë fillimisht Duro pas ndeshjes.
“Kemi pasur një kundërshtarë të vështirë dhe kemi mundur të nxjerrim edhe më shumë, por edhe pika e arritur është e mirë pasi lojtarët e mi janë paraqitur mirë”.
Tutje, Duro foli edhe për mungesat, të cilat sipas tij nuk po e lejojnë ekipin të jetë i plotë dhe i qartë në gjitha idetë e lojës.
“Kemi mungesë të madhe në sulm sikurse ajo e Bedri Grecës. Unë ende nuk e kuptoj edhe se si Argjend Malaj dënohet me tri ndeshje, nuk më është dukur e arsyeshme, pasi ai as nuk e meritonte të kuqin ndaj Dritës.
“Por, besoj shumë që me rikthimin e gjithë lojtarëve në kontigjent do të jemi më të fortë dhe do të sjellim rezultate më të mira”, përfundoi trajneri i Niklit. /Telegrafi/