Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi ka thënë se rreth 80 për qind e lokaleve kanë deklaruar se do të falimentonin nëse nuk do të hapeshin edhe dy muaj.
Kllokoqi deklaroi se ndihma që kanë marrë nga Ministria e Financave dhe Transfereve ka qenë për punëtorët dhe qiradhënësit, por që bizneset nuk kanë përfituar asgjë nga Pakoja Emergjente Fiskale.
Sipas tij, gjatë këtyre muajve, ka pronar të bizneseve që e kanë shitur biznesin, pasi nuk kishin mundësi ta mbanin.
“Po bëhen dy muaj e gjysmë prej se kur jemi mbyllur, subvencionet mund të them që kanë qenë ndihmë sociale, ato kanë qenë për punëtorët edhe qiradhënësit, por si biznes nuk kemi përfituar diçka. Diku 76 për qind kanë thanë që nëse vazhdon edhe për dy muaj kishin për të falimentuar. Ka edhe raste kur e kanë shit biznesin edhe janë largu. Ajo ‘take away’ nuk ka qenë diçka, shumica kanë thënë se kanë punuar me humbje, por kemi thënë që duhet të punojmë, le të kthehet pak shpirti qytetit, se shumë kanë punuar edhe me humbje”, tha Kllokoqi.
Me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transferëve, është miratuar Pakoja Emergjente Fiskale në vlerë prej 179.65 milionë euro për t’i ndihmuar bizneset dhe individët që ta tejkalojnë këtë kohë të pandemisë.
Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje. /RTV Dukagjini/Telegrafi/