Telegrafi

Klinaku për ish-kryeprokurorin Jack Smith: Asnjëherë nuk ka punuar për drejtësi

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Faton Klinaku, ka thënë se ish-kryeprokurori i Gjykatës Speciale, Jack Smith, asnjëherë nuk ka punuar për drejtësi.

Sipas tij, Smith njëjtë si UNMIK-u dhe EULEX-i kanë bërë padrejtësi duke mos hetuar krimet dhe masakrat e kryera nga pushtuesi serb në Kosovë dje duke ndjekur UÇK-në si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

“Rrjedhja e materialeve të ‘ndjeshme’ nga Pseudo Dhomat e Specializuara në Hagë dhe pengimi i hetimit se si kanë rrjedhur këto dokumente, ka pasur dhe ka prapavijë politike”, ka shkruar Klinaku në Facebook.

“Ky monstrum Smith, asnjëherë nuk ka punuar për drejtësi, por sikur UNMIK-u dhe EULEX-i ka bërë padrejtësi duke mos hetuar krimet dhe masakrat e kryera nga pushtuesi serb në Kosovë, e duke ndjekur UÇK-në si NDËRMARRJE E PËRBASHKËT KRIMINALE”.

Tutje, ai ka thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës as nuk kanë vullnet, por nuk kanë as guxim që të ndalojnë padrejtësitë që sipas tij, po bëhen në ‘Pseudo Gjykatën Speciale të Kosovës’ në Hagë.

Ndryshe, Departamenti i Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë të ditur të premten se prokurori i  specializuar, Jack Smith ka dhënë dorëheqje.

I njëjti është emëruar si këshilltar i posaçëm për të mbikëqyrur hetimin e Departamentit të Drejtësisë për praninë e dokumenteve sekrete në pronën e ish-presidentit Donald Trump në Florida.

Ai do të merret gjithashtu edhe me hetimin e veçantë që përfshin sulmin e 6 janarit 2021 mbi Kapitolin dhe përpjekjet për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. /Telegrafi/