Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku thotë se ministri Hekuran Murati po frynë shifrën e parave që marrin veteranët për pensione.
Klinaku në “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka thënë se nëse ligji për kategorizim të veteranëve do të futet në fuqi janë disa obligime që duhet të përmbushen nga Qeveria.
“Nëse ky ligj futet në fuqi duhet të njoftohet opinioin se kush përfiton. Me ligjin për kategorizim duhet të marrin 50% të pensionit edhe ata që punojnë. Pastaj nëse vdes veterani gruaja e tij i merr 250 euro e jo 170. Dhe kjo shkon duke u rritur me rritjen e brutoproduktit”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Klinaku thotë se Ministri Murati nuk e ka thënë të vërtetën në raport me milionat e shpenzuar për veteranët.
“Ministri Murati po mashtron. Nuk është e saktë se veteranët e luftës shpenzojnë 80 milionë euro për pensione për një vit. 3,200 veteranë që marrin pensione të pleqërisë nuk llogaritet që marrin pensione veteran, prandaj nuk është e saktë shifra e dhënë nga Murati. Sipas ASK-së pensione marrin rreth 33 mijë veteranë apo 68 milionë euro”, deklaroi tutje Klinaku./Telegrafi/