Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë sërish së Gjykata Speciale është politike.
Sipas Klinakut, një gjë të tillë po e dëshmojnë avokatët mbrojtës të të akuzuarve në Hagë, transmeton Telegrafi.
“Se Gjykata Speciale, ishte dhe është politike, është e jashtëligjshme dhe kundër kushtetuese, po e dëshmojnë edhe avokatët mbrojtës të të akuzuarve në Hagë me ngritje të mocioneve lidhur me juridiksionin, shkeljen e ligjeve dhe skadimin e mandatit të saj”, ka thënë Klinaku.
Ai ka shtuar tutje se “nga një gjykatë e tillë, mund të jetë cak secili ushtar i UÇK-së”.
Ndryshe, Specialja ka ftuar për intervistim qindra pjesëtarë të UÇK-së, ndërkohë në paraburgim vazhdojnë të jenë ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ish-deputeti Rexhep Selimi dhe ish-kryetari i Këshillit të Përgjithshëm të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi. /Telegrafi/