Federata e Futbollit të Kosovës nuk ka marrë përgjigje negative vetëm nga lojtarët me origjinë kosovarë të Zvicrës dhe Shqipërisë, por edhe nga ata që jetojnë në Turqi.
Mesfushori 25 vjeçar Necip Uysal ka qenë një nga kandidatët potencial për të veshur fanellën e Kosovës, por lojtari ka konfirmuar dje se e kishte refuzuar një mundësi të tillë.
“Kam marrë një ofertë nga Federata Kosovare për t’iu bashkuar Kombëtares”, konfirmoi dje mesfushori i Beshiktashit, i cili gjendet në Austri në fazë përgatitore bashkë me klubin e tij.
“Por e kam refuzuar. Unë nuk dua që të ndryshoj ekipin kombëtar, unë dua të luaj për Turqinë”, ishin fjalët e futbollistit i cili është pjesë e Beshiktashit që nga viti 2009.
Uysal ka luajtur më shumë se 50 ndeshje me përfaqësueset e moshave të Turqisë, nga U-17 deri në U-21, por kishte regjistruar vetëm një ndeshje me Kombëtaren A të Turqisë, një miqësore në vitin 2010 ndaj Hondurasit.
Pas pranimit në UEFA dhe FIFA, trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki, deklaroi se Uysal ishte në planet e tij dhe se lojtari kishte shprehur dëshirën për të veshur fanellën e kësaj përfaqësueseje.
Por lojtari ka bërë të qartë dje se nuk mendon të ndryshojë kombëtare, duke lënë të kuptohet se shpreson që më 12 nëntor, atij t’i jepet mundësia që të luajë si kundërshtar i Kosovës në ndeshjen mes dy përfaqësueseve në eliminatoret e Botërorit 2018.