Kryesia e Kuvendit të Kosovës, ka bërë ndarjen e komisioneve parlamentare të cilat do të udhëhiqen nga Grupet Parlamentare.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, pas kësaj mbledhje ka bërë të ditur se të enjten do të ketë seancë, ku edhe pritet votimi i këtyre komisioneve.
Osmani ka bërë thirrje që deri ditën e mërkure, grupet parlamentare t’i dërgojnë edhe emrat e anëtarëve, që Komisionet të votohen në Kuvend gjatë seancës plenare të së enjtes, transmeton Telegrafi.
Kryeparlamentarja Osmani, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje do të udhëheqë Komisionin për Buxhet dhe Financa, Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikqyrje të FSK-së, Komisionin për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural.
LDK do ta udhëheqë Komisionin për Integrime Evropiane, Komisionin për Legjislacion dhe Komisionin për Arsim, Shkencë e Teknologji, Ndërmarrësi dhe Inovacion.
PDK do të udhëheqë Komisionin për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media; Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike dhe Komisionin për Mbikëqyrje të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.
AAK do të drejtojë Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë si dhe Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale.
Nisma do ta udhëheqë Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal.
Ndërkaq, Lista Serbe Komisionin për Të drejtat e Komuniteteve dhe Kthim.
Grupi Parlamentar 6plus do të udhëheqë Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.
Kujtojmë se mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit e ka bojkotuar Partia Demorkatike e Kosovës, të cilët kanë kërkuar nga kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, që fotografinë e presidentit Thaçi ta kthejë në vendin e mëparshëm./Telegrafi/