Ekspertët po pyesin pse autoritetet kineze papritmas u hodhën në veprim, disa javë pasi u raportua rasti i parë i koronavirusit.
Më shumë se 1.300 njerëz janë infektuar globalisht me virusin e gjurmuar në një treg ushqimesh deti në qytetin Wuhan që po shiste ilegalisht ushqime, transmeton Telegrafi.
Ky virus është përhapur në katër kontinente deri më tani, me Azinë, përkatësisht Kinën, që ka numrin më të madh të të prekurve.
Coronavirusi është shfaqur edhe në kontinentet si Evropë, Amerikë e Veriut, dhe Australi. Të vetmet dy kontinente të paprekura deri më tani janë Afrika dhe Amerika e Jugut. Kjo është harta që tregon se sa persona janë prekur deri më tani në secilin shtet.
Mirëpo kjo ende nuk e ka alarmuar Organizatën Botërore të Shëndetësisë, e cila ende nuk ka arritur të deklarojë një krizë globale shëndetësore. Të enjten organizata tha se ishte ‘shumë herët’ për një vendim të tillë, por shtoi se një emergjencë ende mund të deklarohet nëse shpërthimi vazhdon të përhapet. /Telegrafi/