Djemtë e Kombëtares janë gati për dy sfidat e fundit kualifikuese ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, të vlefshme për kualifikim në Euro 2024 që do të mbahet në Gjermani vitin e ardhshëm.
Grumbullimi ka nisur dhe atmosfera brenda grupit është shumë pozitive.
Sulmuesi kuqezi Arbnor Muja, ka thënë se ekipi është mjaft i fokusuar dhe gati për të bërë realitet ‘ëndrrën’ e kualifikimit në Evropian.
“Si çdo herë jemi përgatitur dhe jemi shumë të fokusuar. Kjo është finalja jonë. Në këto kualifikuese jemi përgatitur mirë, ta shohim se si do të vazhdojë ecuria edhe në këto ndeshje. Nuk mendoj që duhet të ndryshojmë dhe të dalim më shumë apo më pak nga vetja, nëse vazhdojmë me këtë ecuri që kemi pasur nuk besoj se do të hasim probleme”, ka thënë fillimisht Muja.
Tutje, ai u mbështet tek tifozët kuqezi për të cilët tha se janë fuqia e kombëtares, ku dhe kërkoi mbështetjen e tyre për këto dy ndeshje.
“Futbolli gjithmonë ka vështirësi dhe mendoj që ekipi që kemi, grupi që kemi ka shumë cilësi dhe zemër dhe besoj se do të dalim me fitore. Fuqia jonë janë tifozat kuqezi, tifozat e kombëtares, jemi shumë krenar për ta dhe shpresoj që t’i gëzojmë në dy ndeshjet e fundit, së pari me Moldavinë dhe pastaj ta bëjmë festën e madhe në Tiranë “, përfundoi Muja./Telegrafi/