Aeroporti i Shkupit arsyetohet se vendimi për pushim nga puna të tre shqiptarëve ka ardhur pasi të njëjtit nuk kanë siguruar përgjigje pozitive nga “kontrolli i sigurisë” që e realizon DTSK.
Çdo kandidat apo i punësuar në Aeroportin e Shkupit, përveç përmbushjes së kushteve ligjore për një pozitë të caktuar, ai duhet të marrë pëlqimin edhe të organeve të sigurisë të Maqedonisë. Kjo është përgjigja e zyrtarëve të Aeroportit të Shkupit, e cila pranon se nga institucionet e sigurisë, konkretisht nga Drejtoria për sigurimin e të dhënave të klasifikuara (DSTK) ka kërkuar kontroll sigurie për punëtorët, ndërsa vendimi – siç thuhet në përgjigjen me shkrim të Aeroportit, merret nga institucionet e sigurisë – në këtë rast DSTK, shkruan gazeta KOHA.
“Çdo i punësuar, i cili punon në Aeroportin e Shkupit dhe në atë të Ohrit, fillimisht duhet të pajiset me kartelë identifikimi, në të cilin qëndron emri, mbiemri, kompania dhe zona në të cilët ka të drejtë hyrjeje. Çdo i punësuar në këto dy aeroporte është lëndë e ‘kontrollit të sigurisë’, e cila realizohet nga institucionet përkatëse të Qeverisë, me qëllim pajisjen me kartelë dhe punësimin në aeroportet e Maqedonisë. Përderisa një i punësuar punësohet për herë të parë, por edhe gjatë periudhës sa punon, ne rregullisht për çdonjërin prej tyre, parashtrojmë kërkesë deri te organet përkatëse të qeverisë, me qëllim përmbushjen e procedurave administrative për punësim dhe vazhdimin e kontratave të punës. Punësimin apo vazhdimin e këtyre kontratave të punës, ne e realizojmë pasi të marrim përgjigje pozitive nga kryerja e ‘kontrollit të sigurisë’. Mirëpo, në rast se përgjigjja e organeve përgjegjëse është negative, atëherë ne ligjërisht nuk kemi të drejtë të punësimit të personit apo vazhdimit të kontratës së punës, në pajtim me rregullativën ligjore”, thonë nga Aeroporti i Shkupit, sipas të cilëve, tashmë përgjegjësia e largimit nga puna bie mbi MPB-në, konkretisht mbi Drejtorinë për sigurimin e të dhënave të klasifikuara.
Nga Aeroporti nuk kanë dashur të përgjigjen në pyetjet e redaksisë se për sa të punësuar është kërkuar “kontroll i sigurisë”, si dhe sa janë “përgjigje negative”, me arsyetim se “dispozitat ligjore dhe vetë Rregullorja e Aeroportit të Shkupit nuk lejon publikimin e informacioneve më të detajuara”, gjithmonë duke u thirrur në Ligjit për fluturime dhe Programit kombëtar për sigurimin e fluturimeve civile.
Ndryshe, pasi që Drejtoria për sigurimin e të dhënave të klasifikuara (DSTK) kohë më parë nuk ka dhënë pëlqim për vazhdimin e kontratës së punës për Enver Kurtishin dhe dy kolegë të tij, të njëjtëve pas 15 vite përvojë punë u është ndërprerë raporti i rregullt i punës në Aeroportin e Shkupit. Zëvendësministri për Punë të Brendshme, Agim Nuhiu, një ditë më parë tha se Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim ka mungesë të kritereve të qarta dhe mirë të definuara për vlerësimin e sigurisë dhe shkallës së sigurisë. Për këtë çështje, ai tha se në mbledhjen e fundit në MPB-së është shtruar kjo problematike dhe se personat përgjegjës brenda DSK-së, gjatë periudhës në vijim, edhe njëherë me nëpunësit e apostrofuar të Aeroportit të Shkupit, do të zhvillojnë bisedë zyrtare./koha.mk/
*Foto Arkivë