Një gjyqtar i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme ka konstatuar se Ligji për Trepçën është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës në dy pika thelbësore. Gjyqtari i EULEX-it Werner K.Kannenberg ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të rishikojë edhe njëherë kushtetutshmërinë e Ligjit për Trepçën.
“Pasi që është e drejtë ekskluzive prerogative e Gjykatës Kushtetuese që zyrtarisht të anulojë legjislacionin e miratuar nga Kuvendi, gjykata në pajtim me nenin 113 paragrafi 8 i Kushtetutës, paraqet çështjen e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 05 / L -120 për Trepçën përmes kërkese drejtuar Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në kërkesën e Gjyqtarit drejtuar Gjykatës Kushtetuese të. cilën KALLXO.com e ka siguruar të plotë.
Ai e ka elaboruar në mënyrë të detajuar përmbajtjen e Ligjit për Trepçën, i cili ka hyrë në fuqi në fund të muajit tetor. Elaborimin e ka bërë gjatë shqyrtimit të një lënde që ka qenë në pritje në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme. Lënda në fjalë ka të bëjë më një padi nga e drejta e punës për dëmet e shkaktuara si pasojë e lëndimit në punë. Paditësi ka qenë punëtor në minierën “Kishnicë dhe Artanë” që ka qenë pjesë e NSH-së Trepça në likuidim.
“Në vlerësimin paraprak të gjykatës, padia me gjasë do të rezultojë të jetë të paktën pjesërisht e suksesshme”, thuhet në kërkesën e Dhomës së Posaçme.
Gjykatësi thotë se qëllimi ekonomik i Ligjit për Trepçën është nxjerrjen e aseteve nga Ndërmarrja Shoqërore pa ndonjë barrë të obligimeve.
“Nëse realizohet ndarja e aseteve që shkojnë te shoqëria aksionare dhe që obligimet t’i mbesin NSH-së Trepça, kjo do të ketë edhe implikime të rënda ligjore”, thuhet në konstatimet e Gjykatësit.
Ashtu siç është shkruar ligji për Trepçën, Gjykatësi thotë se “është e qartë se transferimi pronës i kryer sipas ligjit ndikon rëndë në vlerën e çfarëdo padie ndaj NSH-së”, duke konstatuar se kërkesëpaditë e pasiguruara siç është një e tillë e paditësit ulën në vlerën zero.
Thotë se Qeveria e Kosovës e ka realizuar një shpronësim pa kompensim.
“Kjo ka efektin e eksproprijimit, pasi që në tërësi e konsumon vlerën e obligimeve të pasiguruara si kjo e paditësit dhe pa kompensim. Përkatësisht shteti i Kosovës dhe aksionarët tjerë të shoqërisë së sapo themeluar aksionare, të cilat i kanë fituar asetet, as nuk e rrit kapitalin në NSH-në Trepça në vlerën e aseteve të fituara, e as ata nuk garantojnë pagesën e borxheve të NSH-së Trepça në vlerën e aseteve të marra nga NSH-ja”, thuhet tutje në kërkesë.
Tutje Gjyqtari konstaton se ndarja e aseteve nga obligimet është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Për shkak të ndikimit mbi të gjithë kreditorët, në kuptim të asaj se i ndan asetet nga obligimet, ligji duket të jetë jokushtetues, shkelë garancitë kushtetuese për mbrojtjen e pronës kundër eksproprijimit pa kompensim (neni 46 i Kushtetutës). Bazuar në këtë gjykata e vlerëson ligjin të jetë jokushtetues”, thuhet në kërkesën e Gjyqtarit të EULEX-it.
Ai konstaton se edhe bartja e aksioneve tek punëtorët është veprim që bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, sepse një eksproprijim, sipas nenit 46 paragrafi 3 fjalia 2 e Kushtetutës është vetëm një opsion për “arritjen e një qëllimi publik apo promovimin e interesit publik”.
“Nga kjo rrjedh se eksproprijimet në dobi të interesave private janë jokushtetuese. Pasi që 20% e aseteve të marra nga NSH Trepça është kthyer në pronë private, kjo duhet të justifikohet përmes qëllimeve ose interesave të vlefshme publike. Në mungesë të justifikimit të tillë gjykata konsideron se edhe mbi këtë bazë Ligji është jokushtetues”, thuhet në ankesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Ky është dokumenti i plotë i siguruar nga KALLXO.com: