Rreth 60 persona kanë vdekur pas një shpërthimi në një minierë ari të improvizuar në një fshat në jugperëndim të Burkina Fasos, thonë zyrtarët lokalë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, shpërthimi ndodhi në një treg në vendin e minierës së arit kur dinamiti i ruajtur aty mori flakë, thanë dëshmitarët.
“Kishte trupa të shpërndara kudo. Ishte një shpërthim që arriti të shkulte edhe pemët”, ka thënë për Reuters një burim.
Veç të vdekurve ka pasur edhe dhjetëra të lënduar të cilët janë evakuuar në spitalin më të afërt.
At least 60 people killed and dozens more wounded in an explosion at an illegal gold mining site in Burkina Faso pic.twitter.com/WvbhCXEzPD
— TRT World Now (@TRTWorldNow) February 22, 2022
Ndërkohë siç raporton agjencia e lajmeve AFP, mendohet se në mesin e viktimave ka gra dhe fëmijë.
Për ngjarjen e së hënës është hapur hetimi pasi prokurori i qarkut ka shkuar në vendngjarje, ndërkohë që raportohet se një person është arrestuar dhe po merret në pyetje.
Sipas agjencisë së lajmeve të Burkina Faso, AIB, miniera e arit është mbyllur deri në një njoftim të dytë.
Burkina Faso është një nga prodhuesit më të mëdhenj të arit në Afrikë, me shumë miniera të drejtuara nga firma ndërkombëtare, si dhe me ato joformale pa ndonjë vendndodhje apo rregullore.
Korrespondenti i BBC-së në Afrikën Perëndimore, Nicolas Negoce, thotë se që nga viti 2009, ari është bërë eksporti kryesor i Burkina Fasos, duke ia kaluar pambukut.
Në vitin 2020, vendi prodhoi 54 ton ar, krahasuar me 45 ton në vitin 2019, një rritje prej 20%, sipas ministrisë përgjegjëse për minierat dhe guroret. /Telegrafi/