Telegrafi

I kishte shkruar “Mos u bëj budalla!”, Erdogan thotë se ia ktheu letrën presidentit Trump

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha që ai i ktheu personalisht një letër që presidenti amerikan Donald Trump i dërgoi muajin e kaluar, duke e paralajmëruar atë kundër një sulmi në veri të Sirisë përpara se Turqia të fillonte operacionin e saj.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për një letër që mbante datën 9 tetor, në të cilën presidenti Trump e kishte paralajmëruar homologun e tij turk, që të mos “Mos të bënte të fortin” dhe mos të “luante budallain”.

Dhe sipas Bloomberg, Erdogan tha në një konferencë të përbashkët shtypi me Trump se ai i ktheu letrën gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë më herët të mërkurën.

Megjithatë, siç thuhet tutje, Trump nuk ka folur rreth kësaj çështje, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp.

Lexo po ashtu Publikohet letra ku Donald Trump i shkruan Erdoganit: “Mos u bëj budalla!”

Ndryshe, kishte qenë fillimisht gazetarja amerikane e Fox News, Trish Regan, ajo që kishte publikuar një letër të cilën presidenti amerikan Donald Trump ia kishte dërguar presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

Në këtë letër, presidenti amerikan i kërkonte homologut turk të bëjë marrëveshje me kurdët e Sirisë, ose historia do ta ndëshkonte si “djall” dhe SHBA-të do ta shkatërronin ekonominë e Turqisë.

“S’do të duash të jesh përgjegjës për vrasjen e mijëra njerëzve. Dhe unë s’dua të jem përgjegjës për shkatërrimin e ekonomisë turke. Dhe kam për ta bërë”, e kishte kërcënuar Trump në letrën e shkruar më 9 tetor. /Telegrafi/