Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Mbrojtjes në Shqipëri, si dhe banorë të Thethit, janë përfshirë në një operacion masiv shpëtimi të një turisti gjerman, ku janë përdorur edhe helikopterë.
Shkak për këtë operacion ka shërbyer një aksident në Majën e Harapit në fshatin turistik të Thethit.
Sipas të dhënave të RTSH në terren, një turist nga Gjermania kishte mbetur i bllokuar mes thepave të malit. Shtetasi gjerman është Timo Misler, 34 vjeç.
Fillimisht, për ta nxjerrë nga zona ku kishte mbetur i bllokuar, ka shkuar një helikopter i Ministrisë së Shëndetësisë. Por për shkak të relievit të zonës, ulja e helikopterit ka qenë e pamundur.
Pas kësaj tentative të pasuksesshme në drejtim të Majës së Harapit është nisur një helikopter i forcave të ushtrisë, i cili ka arritur ta nxjerrë turistin gjerman nga vendi ku kishte mbetur i bllokuar, duke arritur edhe ta shpëtojë.
Në këtë operacion një ndihmesë të madhe kanë dhënë edhe banorët e zonës së Thethit.
Rastet e humbjes së jetës të turistëve të huaj në Theth apo rastet e aksidenteve kanë qenë të shpeshta aq sa janë kthyer edhe në shqetësim, pasi turistët kërkojnë të eksplorojnë zona të cilat janë shumë të vështira dhe nuk rekomandohet kalimi.
Turisti gjerman që u shpëtua është transportuar drejt spitalit të traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore të specializuar, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.